Opinioni i dy strategëve shkupjan pas finales së SuperKupës së Kosovës

Sot në Turqi, aty ku shumica e skuadrave të Superligës së Kosovës po zhvillojnë fazën e përgatitjeve, u zhvillua ndeshja e SuperKupës së Kosovës midis Dritës dhe Prishtinës, skuadra këto që udhëhiqen nga strateg shkupjan, njofton “infOSport.mk”.

Në fund triumfit iu gëzua Prishtina e Zekirja Ramadanit, që triumfoi me shifrat 3:1 përballë skuadrës gjilanase të udhëhequr nga Ardian Nuhiu.

Ky i fundit theksoi se kjo humbje do të jetë një leksion i mirë për ekipin e tij dhe se duhet të bëhen gati për kampionat, pasi që do të jetë një garë e zjarrtë.

“Kundërshtari ishte më i mirë se ne, këtë duhet pranuar. Megjithëse kishim një iniciativë në pjesën e dytë, nuk rrezikuam shumë, kjo edhe falë meritës së kundërshtarit. Është ndeshja e parë në fazën përgatitore dhe u pa edhe lodhja te futbollistët. Por, ne duhet të mësojmë shumë nga kjo humbje, pasi që na pret një kampionat i zjarrtë”, – deklaroi Nuhiu.

Në anën tjetër trajneri i skuadrës fituese, Zekirja Ramadani, tha se Prishtina e tij fitoi me meritë këtë përballje, ndërsa të njëjtën ua dedikoi “Plisave”.

Vendosën 90 minuta, pasi që futbolli nuk zhvillohet vetëm në një pjesë. Ne krijuam edhe raste të tjera që kemi mundur t’i realizonim, mirëpo duhet kuptuar edhe futbollistët, pasi që jemi në fillimin e fazës përgatitore. Kjo fitore i’u dedikohet grupit të tifozëve ‘Plisat’”, potencoi Ramadani.

Edhe Drita, edhe Prishtina do të vijojnë me përgatitjet e tyre në Turqi, aty ku ditëve në vijim kanë aranzhuar edhe disa ndeshje miqësore, që kryesisht do ti zhvillojnë përballë skuadrave nga Rusia dhe Ukraina.

Leave a Reply