Sejdini: Të vazhdojmë me projektet…dora e Federatës do të jetë e zgjatur për të gjitha klubet (VIDEO)

Muhamed Sejdini sot edhe zyrtarisht morri një mandat të ri 4-vjeçar në krye të institucionit më të fuqishëm sportiv në vend, Federatës së Futbollit në vend, njofton “infOSport.mk”.

I njëjti në këtë post u rizgjodh me 52 vota pro dhe asnjë kundër, ndërsa në fjalimin e tij të para për mediat në vend, Sejdini tha se do të vazhdojë me projektet e planifikuara dhe se FFM do të jetë një dorë e zgjatur për të gjitha klubet si dhe reprezentacionet, përfshirë këtu edhe atë të futsalit, femrave, etj.

“Fillimisht do them, le të vazhdojnë këto suksese që kemi në 2020, por edhe në 2019, do isha më se i kënaqur, por ne nuk do të ndalemi këtu, e thash edhe në fjalimin që e mbajta më herët. Federata e Futbollit të Maqedonisë do vazhdojë me projektet e veta, do vazhdojë të investojë, të ndihmojë klubet, të zhvillojë grupmoshat e reja, të investojë në futbollin e femrave, kështu gjithçka, për secilin klub, apo reprezentacion, dora e Federatës do të jetë e zgjatur” – u shpreh presidenti i ri i vjetër i Federatës së Futbollit të Maqedonisë, Muhamed Sejdini.

Muhamed Sejdini për herë të parë në krye të FFM-së erdhi në marsin e vitit 2019-të, duke zëvendësuar kështu Ilço Gjorgjioskin e larguar, ndërsa për dy vite udhëheqje, vlerësohet si presidenti më i suksesshëm në histori të këtij institucioni.

Nën udhëheqjen e kërçovarit, përfaqësuesja e Maqedonisë arriti kualifikimin e parë dhe historik në Kampionatin Europian, ndërsa për dy vite udhëheqje bëri rekord në realizimin e projekteve në infrastrukturë në të gjithë stadiumet e Maqedonisë së Veriut.

Leave a Reply