6 gola Vardarit, 5 Rabotniçkit midis Shkupit! Kjo Shkëndijë vërtetë është e frikshme (VIDEO)

11 gola në dy ndeshje ndaj dy skuadrave nga kryeqendra, dikur rival për tituj, Rabotniçkit dhe Vardarit, ka shënuar Shkëndija, që edhe sot u shfaq shumë e frikshme përballë “romantikëve”, duke i mundur në arenën “Todor Proeski” me rezultatin 5:3, njofton “infOSport.mk”.

Ndeshja nisi me gol që në minutën e dytë, edhe atë falë gabimit trashanik të portierit Kostadin Zahov, i cili thjeshtë i dhuroi golin sulmuesit vendas, Mario Stankovski.

Pas këtij goli, Shkëndija morri nën kontroll lojën, ndërsa falë një ekzekutimi perfekt të goditjes nga këndi të Armend Alimit, braziliani Igor Da Silva Vanderson në minutën e 19-të barazoi shifrat në 1:1.

Ekzekutim perfekt me kokë nga ana e brazilianit, për të cilin ishte ky goli i dytë sezonal pas atij ndaj Renovës.

Ndërkohë në minutën e 42-të Rubin Hebaj duke shfrytëzuar pakujdesinë e portierit Jankov, shënoi golin e tij të tretë në dy ndeshjet e fundit dhe të katërtin me fanellën e Shkëndijës këtë edicion.

Me këtë gol u mbyll pjesa e parë, ndërsa pjesa e dytë reuzltoi të jetë edhe më efikase. Për dallim nga pjesa e parë që u përcoll me gafat e dy portierëve, Zahov dhe Jankov, pjesa e dytë na dhuroi disa super gola, e mbi të gjitha atë perlë të Armend Alimit në minutën e 86-të.

Megjithatë të parët që shënuan në këtë pjesë ishin vendasit, kur Fahrudin Gjurgjeviç nga brendia e zonës arriti që edhe për herë të dytë të mposhtë portierin e “kuqezinjëve”.

E gjithë kjo ndodhi në minutën e 69-të, ndërsa në të 82-tën, pas një aksioni model, Shkëndija me anë të Valmir Nafiut kaloi sërish në epërsi (2:3).

Në minutën e 86-të Armend Alimi si zakonisht u ndal për të ekzekutuar një goditje dënimi, ndërsa kur të gjithë prisnin një harkim nga ana e kumanovarit, ai shpërtheu me një perlë të vërtetë, duke shënuar në këndin e kundërt të Jankov për rezultat 2:4.

Nuk vonoi shumë dhe 3 minuta më pas në anën tjetër u kundërpërgjigjë, Stevan Jevtovski, i cili nga gjuajtja e lirë shënoi një gol mjaft të bukur, duke e mposhtur edhe për herë të tretë në këtë ndeshjen portierin Zahov.

Ky gol ju dha vetëbesim futbollistëve vendas, të cilët në minutat shtesë të takimit kërkonin me çdo kusht golin, madje edhe me portierin e tyre Jankov, që kishte kaluar në zonën e kolegut të tij Kostadin Zahov, mirëpo që iu rikthye si “boomerang”, kjo pasi pas një aksioni të shpejtë Besart Ibraimi shënoi edhe golin e 5-të në rrjetën e zbrazët.

Goli numër 21 për bomberin kërçovarë, i cili njëjtë sikurse Shkëndija, pritet të festojë titullin e katërt si golashënuesi më i mirë në elitën e futbollit vendor.

Pas 30 xhirove, Shkëndija e Ernest Gjokës numëron 71 pikë, plotë 15 më shumë se FC Shkupi i vendit të dytë, ndërkohë Rabotniçki mbetet në kuotën e 41 pikëve, duke vazhduar të mbajë pozitën e 5-të në renditjen tabelare. (infOSport.mk)

Leave a Reply