Shkëndija gati të transferojë “Messin e Llapit”

Shkëndija këtë edicion për herë të katërt në histori u shpall kampione e Maqedonisë. “Kuqezinjtë” ndodhen në pushim të merituar, mirëpo jo edhe drejtuesit e klubit që po mendojnë për përforcimet e reja.

Ata i kanë vënë syrin mesfushorit të Llapit, Arbnor Ramadani, ndryshe i njohur si “Messi i Llapit”.

Ramadani ishte futbollisti kryesor i Llapit edicionin e kaluar, duke ndihmuar këtë skuadër që të fitojë edhe trofeun e Kupës së Kosovës.

26-vjeçari gjilanas edhe pse në pjesën më të madhe të sezonit luajti si mesfushor difenziv, ai shënoi 6 gola në kampionat, asistoi në 6 gola të tjerë, derisa kontribuoi edhe  me dy asistime të tjera në Kupë si dhe shënoi penaltinë vendimtare në finalen ndaj Dukagjinit.

Ndërkohë sipas “Gazeta Olle” të Kosovës, për shërbimet e Ramadanit, përveç Shkëndijës, interesohen edhe dy skuadrat nga Superliga shqiptare, Kukësi dhe Teuta.

Këto 3 skuadra e duan Ramadanin jashtë kufijve, derisa në Kosovë ai kërkohet nga të gjitha skuadrat pretendente për titull.

Tahir Batatina e ka vlerësuar lartë gjithmonë yllin e skuadrës, madje në një emision kishte thënë se Arbnor Ramadani është ‘Messi i Llapit’, por trajneri llapjan mund të mbetet pa lojtarin kryesor, pasi nëse Shkëndija i vë syrin seriozisht ndonjë futbollisti, atëherë është e vështirë të refuzohen “kuqezinjtë”. (infOSport.mk)

Leave a Reply