Prishtina mundi Llapin, e paralajmëron Shkëndijën!

Prishtina e Zekirja Ramadanit të shtunën ka zhvilluar miqësoren e parë në prag të ndeshjes preliminare të Ligës së Kampionëve kundër skuadrës së Folgore nga San Marino, njofton “infOSport.mk”.

Kundërshtarë i Prishtinës ishte skuadra fituese e Kupës së Kosovës, KF Llapi, ndaj së cilës skuadër “bardhekaltërit” nga kryeqendra e Kosovës shënuan fitore 3:1.

Në këtë ndeshje strategu shkupjan i Prishtinës, ju dha mundësinë e lojës edhe 3 përforcimeve të reja, Mendurim Hotit, Xhevdet Shabanit dhe Albert Tolajt.

Pikërisht ky i fundit në minutën e 17-të hapi serinë e golave pas një asisti të Tun Bardhokut, i cili në pjesën e parë luajti si mbrojtës i djathtë, derisa në pjesën e dytë si mesfushor qendror.

Llapi u kundërpërgjigjë në minutën e 40-të, pas një aksioni model, kur Firmino nga afërsia shënoi për 1:1.

Ishte ky rezultati i pjesës së parë, ndërsa në të dytën, kur trajnerët e të dyja skuadrave bënë shumë zëvendësime, duke provuar gjithë futbollistët që kishin në disponim, më të suksesshëm dolën futbollistët e Prishtinës, që falë “dopietës” së Oto Xhon, në fund shënuan fitore 3:1.

Me 16 qershor Prishtina kundër Shkëndijës së Tetovës do të zhvillojë edhe miqësoren e dytë si parapërgatitje për ndeshjen e 22 qershorit kundër Folgore, ndeshje kjo që do të luhet në “Elbasan Arena” me fillim në ora 20:00. (infOSport.mk)

Leave a Reply