Alioski, shqiptari i parë që shënon në Euro 2020, Maqedonia mundet nga Ukraina  (VIDEO)

Ezgjan Alioski është shqiptari i parë që shënon në Euro 2020, shkruan “infOSport.mk”. Alioski shënoi golin e vetëm për Maqedoninë  e Veriut, që pësoi edhe disfatën e dytë në këtë europian, këtë herë nga Ukraina me shifrat 2:1.

Pjesa e parë foli në tërësi për Ukrainën, skuadër kjo që shënoi dy gola të shpejtë, që në fund u treguan edhe si vendimtarë në fitoren e sotme ndaj ekipit tonë përfaqësues.

Jarmalenko shënoi golin e parë në minutën e 29-të, ndërkohë vetëm 5 minuta më pas një kurth ofsajdi jo mirë i vendosur nga ana e futbollistëve të përfaqësueses së vendit tonë, bëri që Jaremçuk të dalë i vetmuar para portierit Dimitrievski, i cili në ato momente kampituloi edhe për herë të dytë përballë futbollistëve ukrainas.

Në minutën e 39-të Goran Pandev arriti që të tund rrjetën e ukrainasve, edhe atë me mjaft mjeshtëri, mirëpo goli i kapitenit të Maqedonisë së Veriut u anulua për shkak pozitës jashtë lojë.

Në pjesën e dytë Maqedonia luajti shumë më mirë, ndërsa për këtë kontribuan edhe zëvendësimet e bëra nga ana e trajnerit Iigor Angellovski, që vendosi të luaj në mënyrë më ofenzive. Kështu nga fillimi i pjesës së dytë në lojë u inkuadrua dyshja sulmuese Çurlinov-Trajkovski, me këtë të fundit që thjesht shkëlqeu dhe ishte rreziku më i madh për ukrainasit.

Trajkovski në shumicën e rasteve tentonte nga goditjet nga distanca, ndërsa pikërisht minuta e 57-të solli edhe penaltinë për ekipin tonë përfaqësues. Trajkovski lëshoi një predhë të vërtetë nga jashtë zonës, ndërsa portieri ukrainas Bushçan me gishtërinjtë e tij i mohoi golin, ndërsa topi nga shtylla u rikthye në lojë, ku në vazhdim të aksionit Pandev u ndal në mënyrë të palejuar, derisa arbitri argjentinas tregoi në pikën e bardhë.

Përgjegjësinë për të ekzekutuar këtë  11-të metërsh e morri shqiptari Ezgjan Alioski, i cili arriti të shënojë, mirëpo vetëm në tentativën e dytë, pasi fillimisht portieri ukrainas kishte lexuar goditjen e tij.

Deri në fund të takimit regjistruam edhe një penalti tjetër të akorduar vetëm pas konsultimit me dhomën VAR, edhe atë në favor të Ukrainës, mirëpo i shkëlqyer edhe në këtë rast doli të jetë portieri Dimitrievski, që ndali goditjen e Malinovskit në minutën e 84-të.

Deri në fund të takimit Maqedonia tentoi sërish përmes Trajkovskit, mirëpo goditja e tij e fuqishme nga një distancë e largët përfundoi vetëm jashtë kuadratit.

Me këtë disfatë, Maqedonia thuajse ka humbur të gjitha gjasat për një kualifikim në fazën e dytë, kjo për më tepër nëse kemi parasysh se ndeshjen e xhiros së tretë përfaqësuesja e vendit do ta zhvillojë kundër Holandës në Amsterdam. (infOSport.mk)

Leave a Reply