Shkëndija në kuadër të xhiros së 9-të të LPFMV-së, në Stadiumin e qytetit në Tetovë do të mirëpret ekipin e Borecit nga Velesi, njofton “infOSport.mk”.
Kjo përballje vjen pas barazimit 1:1 me ekipin e Struga Trim Lum në qytetin e Strugës, ndërsa nga tabori i “kuqezinjëve” të gjithë njëzëri thonë se Boreci është mundësia e mirë për të kapur një seri të fitoreve, me qëllim që më me vetëbesim të shkojnë në pauzën dy javore që pason për shkak të ndeshjeve kualifikuese të përfaqësueses së Maqedonisë së Veriut.
Në prag të kësaj sfide nga tabori i Shkëndijës, ka folur mbrojtësi i krahut të djathtë, Mevlan Murati, i cili thotë se Shkëndija ka humbur shumë pikë deri më tani dhe se nuk e ka luksin për të bërë ndonjë hap falës.
“Për ndeshjen kundër Boreci jemi duke u përgatitur maksimalisht për të fituar ndeshjen. Është shumë e rëndësishme për ne në këtë moment të arrijmë të fitojmë tre pikët pasi fitorja do të na bënte shumë mirë për ndeshjet e ardhshme të kemi rezultate pozitive. Kjo posaçërisht kur të kemi parasysh se kemi humbur shumë pikë deri tani” – është shprehur Mevlan Murati për faqen zyrtare të klubit tetovar. (infOSport.mk)