Shkëndija barazoi në miqësoren ndaj Partizanit në Pogradec (VIDEO)

Shumica e skuadrave në vendin tonë pauzën për shkak paraqitjes së përfaqësueses së Maqedonisë në eliminatoret e vlefshme për Botërorin e vitit 2022 që do të mbahet në Katar, po e shfrytëzojnë për zhvillimin e ndeshjeve miqësore, njofton “infOSport.mk”.

Një gjë të tillë gjatë ditës së sotme bënë kampionët e vendit, Shkëndija që në Pogradec luajti kundër Partizanit të Tiranës. Ndeshja në fjalë u mbyll me barazim 2:2, ku patëm mundësi të shohim dy pjesë të ndryshme.

Pjesa e parë në tërësi foli për Partizanin që avansoi me shifrat 2:0.

Marku shënoi golin e parë për “Demat e Kuq” nga pika e bardhë në minutën e 19-të, ndërsa ish futbollisti i Pelisterit Kardoso në minutën e 33-të edhe për herë të dytë në këtë ndeshje arriti që të mposht portierin Zahov.

Në pjesën e dytë një pasqyrë krejt ndryshe nga ajo e pjesës së parë. Me aktivizimin e Kamer Qakës dhe Valmir Nafiut, pamë një Shkëndijë shumë më agresive dhe që vazhdimisht rrezikonte portën kundërshtare.

Kësisoj vetëm pas 10 minutave lojë në këtë fraksion Shala shënoi golin e parë për skuadrën tetovare, ndërsa në të 71-tën, Sidrit Guri shënoi edhe golin e dytë, duke sjellë simetri në rezultat.

Valmir Nafiu harkoi nga rivënia e këndit në shtyllën e dytë, aty ku Egzon Bejtullai riktheu topin brenda 5-metërshit të portierit Alban Hoxha, para të cilit reagoi sulmuesi Guri dhe me kokë shënoi për rezultat 2:2.

Deri në mbyllje të takimit, Shkëndija gjeti edhe golin e tretë  me anë të Mexhit Nezirit (87’), mirëpo i njëjti u anulua për shkak pozitës jashtë loje.

Trajneri Akrapoviç me siguri se ka skenuar mirë skuadrën në takimin e sotëm dhe futbollistët, tek të cilët do të mbështetet në ndeshjen e javës së 10-të, të shtunën kundër Akademia Pandevit në Strumicë. (infOSport.mk)

Leave a Reply