Konfirmohet lajmi i “infOSport.mk”, Ferhan Hasani edhe zyrtarisht rikthehet te Shkëndija

E paralajmëruam që gjatë orëve të para të mëngjesit të ditës së kaluar, ndërsa sot erdhi edhe konfirmimi nga ana e drejtuesve të Shkëndijës.

Ferhan Hasani vishet sërish “kuqezi”, me të vetmin qëllim për të ndihmuar skuadrën e tij të zemrës në stinorin pranveror, ku me shumë gjasa deri në fund bashkë me FC Shkupin do të diskutojë çështjen e kampionit.

Ferhan Hasani u prezantua përmes një video të shkurtër nga ana e drejtuesve të skuadrës tetovare, që në këtë mënyrë kanë gëzuar një numër të madh të tifozëve “kuqezi”.

Ferhan Hasani 6 muajt e fundit ishte pa skuadër, pasi verën e vitit të kaluar prishi kontratën me Partizanin, ndërsa rikujtojmë se pas largimit nga Shkëndija verën e vitit 2018-të, i njëjti luajti në Arabinë Saudite te skuadra e Al Raed si dhe në Finlandë me skuadrën e Helsinkit, duke u shpallur njëkohësisht kampion dhe duke fituar Kupën.

Kujtojmë Ferhan Hasani – BUBA kishte bërë karrierë ndërkombëtare edhe nga viti 2012 deri në vitin 2015, duke luajtur me dy skuadrat e njohura europiane, Volfsburg dhe Brondby, ndërsa i njëjti pas vetes numëron edhe 41 ndeshje me fanellën e përfaqësueses së Maqedonisë.

Mjaftojnë këto të dhëna për të kuptuar se Shkëndija është pasuruar me një super futbollistë me përvojë të madhe, i cili me siguri se do të ndihmojë “kuqezinjtë” gjatë stinorit pranveror. (infOSport.mk)

Leave a Reply