Konkurrencë braziliane për Gurin dhe Stojanovskin në sulmin e Shkëndijës!

Shkëndija e Tetovës pas rikthimit nga Sllovenia, tashmë po punon edhe rreth përforcimeve të fundit të skuadrës, që do i nevojiteshin skuadrës për garat europiane, gjithnjë nëse “kuqezinjtë” kalojnë pengesën e parë të quajtur Ararat Yerevan.

Pas transferimeve të Bashkim Veliut, portierit Davor Taleski dhe sulmuesit Vlatko Stojanovski, emra këto të njohur për tregun tonë të futbollit, skuadra “kuqezi” tashmë është përqëndruar në tregun europian, duke bërë për vete çekun, Jan Vondra dhe brazilianin Vagner Gonçalves Nogueira De Souza.

Ky i fundit luan në repartin ofenziv, përfshirë këtu tre pozitat: sulmues qendre, i krahut të majtë dhe krahut të djathtë.

Ai aktualisht është pjesë e skuadrës gjeorgjiane të FC Dila, për të cilën edicionin e fundit në 16 ndeshje realizoi 8 gola. Ai kësaj skuadre iu bashkua marsin e këtij viti nga rradhët e skuadrës së Dnjipros nga Ukraina, aty ku kishte luajtur edhe me ekipin  Kryvbas.

Ndryshe Vagner Gonçalves, i cili posedon edhe pasaportë franceze, karrierën e tij europiane e kishte filluar me ekipin B të Bastias në Francë, për të luajtur më pas edhe me belgët e Serkl Bryzh, derisa në Gjeorgji gjithashtu kishte veshur edhe fanellën e Saburtalo dhe Dinamo Batumi.

Për dallim nga Vodra, i cili te Shkëndija vjen si agjent i lirë, për brazilianin Vagner Gonçalves, drejtuesit e Shkëndijës do të duhet të paguajnë dëmshpërblim, pasi i njëjti ka kontratë me FC Dila deri në fund të vitit 2022.

Informacione pranë “infOSport.mk” bëjnë me dije se palët janë afër marrëveshjes, e cila mund të ndodh vetëm pas përfundimit të turit të parë eliminatorë të Ligës së Konferencës.

Në rast të një rezultati pozitiv nga përballjet kundër armenëve të Ararat Yerevan, drejtuesit e Shkëndijës do përshpejtonin transferimin e tij, duke paguar shumën e kërkuar nga drejtuesit e skuadrës gjeorgjiane të FC Dila. Në të kundërtën, “kuqezinjtë” do të tentonin të përfitonin, duke ulur kërkesat e gjeorgjianëve, të cilët jozyrtarisht mësojmë se kërkojnë rreth 100 mijë euro. (infOSport.mk)

Leave a Reply