Shkëndija bënë dy goditje të mëdha në merkato, njëri ish “kuqezi”!

Merkatoja e janarit është e para për treshen Harun Isa, Ibrahim Osmani dhe Iskender Jonuzi, të cilët kanë për detyrë të ndërtojnë një skuadër shumë konkurruese për stinorin pranveror në Ligën e Parë, aty ku sërish do të pretendojnë titullin kampion, pavarësisht ngecjes në pikë ndaj dy skuadrave të para në renditje, Struga Trim Lumit dhe FC Shkupit.

Informacione të besueshme pranë “infOSport.mk” bëjnë me dije se kjo treshe pas angazhimit të Metodi Maksimov, kanë bërë për vete edhe dyshen Eraldo Çinari dhe Kamer Qaka.

Ky i fundit është një emër i njohur për publikun tetovar, pasi i njëjti kishte qenë pjesë e Shkëndijës nga janari i vitit 2021 deri janarin e vitit 2022.

Ai me Shkëndijën zhvilloi gjithsej 22 ndeshje, mirëpo mungesa e minutazhit në stinorin vjeshtorë të edicionit të kaluar, bëri që Qaka të ndërpresë bashkëpunimin me “kuqezinjtë” nga Tetova që para kohe, edhe pse kontrata e tij ishte valide deri verën e vitit 2022.

Kujtojmë, Qaka kishte qenë pjesë e kombëtareve zinxhir të Norvegjisë deri te U19, që më pas në vitin 2017 të debutojë me fanellën e Kombëtares shqiptare, për të cilën ka zhvilluar 4 ndeshje.

Sa i përket Çinarit, ky i fundit te Shkëndija vjen nga rradhët e skuadrës turke të Samsunspor, me të cilën kishte prishur kontratën para kohe.

Arsyeja ishte mungesa e minutazhit, ashtu që tashmë i njëjti është një agjent i lirë, ndërsa informacionet tona thonë se Çinari pavarësisht interesimit të ish skuadrës së tij, Partizanit, ka vendosur që ti thotë “PO”, Shkëndijës, skuadër kjo që kishte tentuar angazhimin e tij edhe vitin e kaluar.

Leave a Reply