Struga Trim Lum përmes faqes së saj zyrtare ka njoftuar se me marrëveshje të dyanshme ka mbyllur bashkëpunimin me mbrojtësin, Maudo Jarjué.
Mbrojtësi 28-vjeçar nga Gambia skuadrës strugane iu bashkua shkurtin e vitit 2025, kur erdhi nga ekipi norvegjez i Sandefjord, duke dhënë kontribut të rëndësishëm për gjatë qëndrimit të tij te Struga Trim Lum.
Sezonin që lamë pas, Maudo regjistroi 24 ndeshje dhe 2 gola të shënuar. I njëjti njëherit kishte realizuar golin e parë për Struga Trim Lum në ndeshjen kundër Makedonija GJ.P., ndërsa një tjetër gol kishte realizuar edhe kundër Sileksit.
“Struga Trim Lum e falënderon Maudo Jarjué për profesionalizmin, përkushtimin dhe kontributin e dhënë gjatë periudhës së kaluar bashkë, duke i uruar shumë suksese në vazhdim të karrierës së tij.” – thuhet në fund të komunikatës zyrtare të klubit strugan, që gjithashtu më herët kishte njoftuar për mbylljen e bashkëpunimit edhe me mbrojtësit Bojan Ilievski dhe Gledi Mici.
Ndërkohë emër i ri te kjo skuadër është ish kapiteni i Shkëndijës së Haraçinës, Amir Nuhija. Përveç këtij përforcimi, drejtuesit e skuadrës mund të thuhet se kanë bërë një punë të shkëlqyer me vazhdimin e bashkëpunimit me dy kapitenët e parë, Bunjamin Shabani dhe Besmir Bojku. (infOSport.mk)
