Musliu: Të gjitha skuadrat e kanë të vështirë ndaj Renovës në Tetovë

Skuadra e Vardarit në kuadër të javës së 15-të në elitën e futbollit vendor do të përballet me Renovën në Tetovë, njofton “infOSport.mk”. Është kjo pa dyshim ndeshja më interesante e kësaj jave, në të cilën vendasit e Renovës kërkojnë sa më shpejtë të harrojnë disfatën e fundit ndaj Pelisterit, teksa “kuqezinjtë” nga Shkupi për të lidhur një seri të fitoreve të reja, pas asaj në ndeshjen e javës së 14-të ndaj Skopjes.

Në prag të këtij takimi për faqen zyrtare të klubit shkupjan ka folur edhe mbrojtësi Visar Musliu, i cili rikthehet sërish në Tetovë për të luajtur kundër ish skuadrës së tij.

“Na pret një ndeshje e vështirë. Të gjitha skuadrat e kanë të vështirë në Tetovë përballë Renovës. E dimë se çdo skuadër jep maksimumin për të marrë pikë ndaj Vardarit. Ne duhet të luajmë maksimalisht të disciplinuar për të arritur deri tek fitorja në Tetovë. Unë isha pjesë e Renovës, mirëpo unë jam një futbollist profesional dhe tani mendoj vetëm për Vardarin dhe se si mund të arrijmë deri tek fitorja në ndeshjen e nesërme. Besoj se secili prej nesh që do të zbres në fushë do të jap më të mirën nga vetja për të arritur deri tek tre pikët që na nevojiten në luftën për pozitën e parë në renditjen tabelare” – është shprehur  Visar Musliu për faqen zyrtare të klubit.

Skuadra nga Xhepçishti nuk dinë për fitore në 10 ndeshjet e fundit ndaj kampionëve në fuqi, të cilët në ndeshjen e fundit të zhvilluar në Tetovë kishin shënuar fitore minimale 1:0 falë golit të shënuar nga ana e sulmuesit Dejan Bllazhevski.

Ndeshja Renova – Vardari zhvillohet në stadiumin e qytetit në Tetovë dhe starton në ora 13:00.

Leave a Reply