LPFM, analizë e Reshat Ibrahimit për “infOSport.mk”: 8 pikët diferencë të mjaftueshme që Shkëndija të shpallet kampion

Në fund të vitit kalendarik 2017, “infosport.mk” ka marrë opinionin edhe të gazetarëve, si njerëzit që e prekin çdo ditë problematikën, suksesin apo ecurinë e futbollit.

Një ndër njohësit më të mirë të futbollit vendor, Reshat Ibrahimi, ndryshe gazetar i “Lajm”, ka analizuar pikët më të rëndësishme të kampionatit elitarë në vendin tonë:

“infOSport.mk”: LPFM deri në këtë fazë, pra stinori vjeshtor?

Reshat Ibrahimi: “Dominim i plotë nga dy skuadra që viteve të fundit dallohen nga skuadrat e tjera. Shkëndija dhe Vardari po bëjnë diferencën në kampionatin e Maqedonisë, duke qenë larg skuadrave tjera në ligën e parë. Këto dy klube kanë kushte shumë të mira financiare, me lojtarë shumë cilësorë dhe për këtë shkak janë të vetmet që konkurrojnë për titullin e kampionit. Ekipet tjera si Rabotniçki, Sileksi, Shkupi, Renova iu mbetet të luftojnë për vendin e tretë”.

“infOSport.mk”: Çfarë e ndryshon këtë kampionat nga të tjerët, nëse ka ndonjë dallim?

Reshat Ibrahimi: “Pasqyrë e njëjtë, nuk kam hasur në ndonjë dallim të madh. Pothuajse është një edicion sikur viteve të mëparshme. Në këtë kampionat vetëm se i kanë ndërruar rolet Shkëndija dhe Vardari, e para në vend të parë dhe i dyti vazhdon ta ndjek. Infrastruktura vazhdon të jetë brengë e klubeve të futbollit. Kemi pasur rastin të shohim se në cfarë kushtesh u zvilluan ndeshjet e fundit në sezonin vjeshtor”.

“infOSport.mk”: Ndikimi i arbitrave në kampionat?

Reshat Ibrahimi: “Ka pasur ndeshje ku arbitrat nuk kanë qenë në nivel të deturave të tyre. Gjatë sezonit vjeshtor më së shumti që është ankuar te njerëzit me xhaketa të zeza ka qenë Renova. Mendoj se kësaj skuadra i janë bërë padrejtësi në ndeshjet me Sileksin në Kratovë dhe me Pobedën në Manastir për gola të anuluar dhe ofsajde të paqenë. Edhe Shkëndija, pastaj Sileksi, në disa raste kanë qenë të dëmtuara nga referët”.

“infOSport.mk”: Sezoni pranveror në LPFM, Shkëndija apo Vardari kampion?

Reshat Ibrahimi: “Ka edhe shumë ndeshje deri në fund të kampionatit, është një gjysmësezon i plotë. Do të ketë edhe shumë derbi, por unë nuk besoj që Shkëndija do të lejoj që dikush ose në këtë rast ndjekësi Vardari t’ia rrëmbej titullin e kampionit. Shkëndija ka tetë pikë epërsi dhe mendoj se për një ekip siç është skuadra tetovare ky dallim i pikëve është i mjaftueshëm që të fitoj titullin e kampionit. Pra, jam optimist se klubi tetovar do të kurorëzohet me titullin e më të mirit”.

Leave a Reply