Godet Vëllazërimi, transferon sulmuesin e Shkëndijës

Vëllazërimi i Kërçovës gjatë ditës së sotme ka bërë një super transferim, njofton “infOSport.mk”. Skuadra që garon në Ligën e dytë ka arritur marrëveshje me sulmuesin Shpend Asani, i cili së fundmi luante si i huazuar te FC Shkupi.

Lajmin për “infOSport.mk” e konfirmoi drejtori sportiv Isak Arifi, i cili u shpreh shumë i kënaqur që në rradhët e skuadrës së tyre kanë angazhuar një sulmues të kalibrit të këtillë, dhe nga një skuadër kampione.

“Mund të ju themi edhe zyrtarisht se sot kemi arritur marrëveshje me Shpend Asanin e Shkëndijës. Bëhet fjalë për një futbollistë shumë cilësor të reaprtit të sulmit, me të cilin shpresojmë të arrijmë objektivat tonë në sezonin e ri. Këtë futbollist e kemi ndjekur edhe më herët, ndërsa ja tani na u dha rasti që të blejmë kartonin e tij” – u shpreh enkas për “infOSport.mk”, Isak Arifi.

Shpend Asani me Vëllazërimin ka arritur kontratë dy vjeçare, ndërsa është përforcimi i parë nga të shumtit që skuadra ka planifikuar ti sjellë në prag të sezonit të ri, kur do të udhëhiqen nga strategu tetovar, Bujar Islami.

Pikërisht nën drejtimin e këtij të fundit skuadra e Vëllazërimit nisi përgatitjet për sezonin e ri, ku të pranishëm ishin shumica e futbollistëve që luajtën edhe sezonin e kaluar.

Leave a Reply