Milani vazhdon me humbje edhe në Europë, Elmasi me Fenerbahçen shmangin disfatën

Pas humbjes në minutat e fundit, në derbin e Madoninnës, Milani dështoi edhe në sfidën e radhës në “San Siro”, duke u mposhtur nga andaluzianët e Betisit me rezultatin 1-2, në sfidën e vlefshme për grupet e Europa Leagues.

Sanabria dhe Lo Celso shënuan për spanjollët, ndërsa Milani rihapi sfidën me Cutronen, para se Castillejo të bënte një ndërhyrje të ashpër ndaj kundërshtarëve dhe të nxirrej jashtë me karton të kuq.

Në Portugali, Arsenali mori një fitore minimale, falë një goli të shënuar nga Danny Welbeck në minutën e 77, ndërsa grekët e Olympiacosit triumfuan me rezultatin 0-2 në transfertën ndaj surprizës europiane, Dudelange.

Fenerbahce e Elif Elmasit arriti të shmangë humbjen në Bruksel, teksa në përballjen me Anderlechtin e pa veten në disavantazh të dy golave, por reagoi dhe barazoi me golat e Frey dhe Kaldirim, ndërsa në Austri, Salzburgu mposhti me rezultatin e pastër 3-0 norvegjezët e Rosenborgut.

Sfida e gjykuar nga shqiptari Enea Jorgji, mes Aek Larnakës dhe Ludogoretsit, përfundoi në barazim 1-1, ndërsa Qarabagu i Ansi Agollit u mposht në shtëpi me rezultatin minimal 0-1 nga Vorslka Poltava.

Fitore mori edhe Dinamo Zagreb në transfertën sllovake ndaj Spartak Ternavës, pasi përmbysi disavantazhin e pjesës së parë për të triumfuar me rezultatin 1-2, ndërsa Zyrihu fitoi 3-2 në një ndeshje spektakolare përballë gjermanëve të Bayer Leverkusenit.

Në sfidat e tjera, Leipzig mposhti me rezultatin 2-0 skocezët e Celtic, Zeniti triumfoi 2-1 ndaj francezëve të Bordeaux dhe Copenhagen u mposht 0-1 nga Sllavia e Pragës.

Leave a Reply