Radeski pjesë e FC Shkupit, ja për sa vite ka nënshkruar!

Marjan Radeski është një futbollistë i ri i FC Shkupit. Informacione të besueshme për “infOSport.mk”, bëjnë me dije se sulmuesi me origjinë nga Prilepi me skuadrën nga Çairi ka nënshkruar kontratë dy vjeçare.

Është ky një super përforcim për FC Shkupin, drejtuesit e së cilës skuadër janë duke bërë çmos që të kompletojnë dokumentacionin e duhur të Radeskit, që i njëjti të ketë të drejtë loje që në ndeshjen e së enjtes kundër Santa Klara në kuadër të Ligës së Konferencës.

Do të ishte ky një super lajm për tifozët e FC Shkupit por edhe për trajnerin Goce Sedlloski, që në këtë mënyrë do të përfitonte një futbollistë me përvojë në ndeshjet europiane. Kujtojmë Radeski numëron plotë 29 ndeshje në garat europiane në nivel klubesh me skuadrën e Shkëndijës, pjesë e së cilës ishte për plotë 5 vite (2015-2020).

Ai me fanellën e Shkëndijës kishte regjistruar 134 ndeshje dhe 33 gola, ndërsa i njëjti së fundmi ishte pjesë e Akademia Pandev, me të cilën skuadër në 31 ndeshje regjistroi 7 gola dhe 4 asiste.

Ndryshe gjatë karrierës së tij, Radeski kishte luajtur edhe me 11 Oktomvri dhe Metalurgun, ndërsa gjithashtu i njëjti luan edhe me ekipin përfaqësues të vendit. (infOSport.mk)

Leave a Reply