Dita: Do vazhdoj të jem “kuqezi” pasi me Tetovën tashmë jam lidhur shpirtërisht

Bruno Dita, mesfushori difenziv nga Tirana gjatë ditës së sotme edhe zyrtarisht ka vazhduar kontratën me Shkëndijën edhe për dy vite tjera. Kështu 29-vjeçari me skuadrën “kuqezi” nga Tetova do të luaj deri verën e vitit 2024, njofton “infOSport.mk”.

Pasi nënshkroi kontratën, Dita foli për faqen zyrtare të Shkëndijës, ku tha se dëshira e tij e madhe për të qenë pjesë e Shkëndijës bënë që ai të vazhdojë bashkëpunimin me skuadrën nga Tetova, qytet këtë të cilin tashmë e ndjen edhe shpirtërisht.

“Jam shumë i lumtur që sot nënshkrova kontratë të re me Shkëndijën dhe që do të vazhdoj edhe për dy vite tjera të mbaj fanellën kuqezi. Falënderoj drejtuesit e klubit që mundësuan vazhdimin e kontratës, por ka qenë edhe dëshirë e imja që të vazhdoj të jem pjesë e Shkëndijës. Posaçërisht më vjen mirë që do të vazhdoj qëndrimin në qytetin e Tetovës sepse e ndjej që jam lidhur edhe shpirtërisht me Tetovën. Në Shkëndijë kemi formuar një grup të mirë dhe jam i bindur se në periudhën në vazhdim do të shënojmë sukseset e radhës me Shkëndijën, ndërsa unë premtoj se do të jap maksimumin për këtë fanellë” – tha Bruno Dita pas nënshkrimit të kontratës së re me kuqezinjtë.

Dita edicionin që lamë pas zhvilloi 28 ndeshje me fanellën e Shkëndijës, për të cilën skuadër në përgjithësi, që nga arrdhja e tij verën e vitit 2020, ka zhvilluar 59 ndeshje, duke realizuar edhe 2 gola dhe 3 asistime. (infOSport.mk)

Leave a Reply