Ndahet nga jeta trajneri serb, Sinisha Mihajlloviç

Ish-futbollisti dhe trajneri serb Sinisa Mihajloviç ka ndërruar jetë në moshën e tij 53-vjeçare, pasi i njëjti që nga viti 2019-të kishte luftuar me një sëmundje të rëndë.

Në mars të këtij viti, ai njoftoi se do t’i duhej t’i nënshtrohej një tretmani të ri për ta luftuar këtë sëmundje sërish, pasi e kishte mposhtur një herë.

Mihajloviç së fundmi drejtonte klubin e njohur Italian të Bolonjës, drejtuesit e së cilës skuadër vendosën ta shkarkojnë gjatë muajit shtator, kjo për shkak rezultateve ta dobëta në fillim të sezonit të ri.

Mihajloviç njihej si një nacionalist dhe kundërshtar i pavarësisë së Kosovës. Ai e kishte përkrahur haptazi regjimin e kriminelit serb, Slobodan Miloseviq.

Lajmi për vdekjen e tij u konfirmua edhe nga familja e tij.

“Bashkëshortja Arianna, fëmijët Viktorija, Virginia, Miroslav, Dushan dhe Nikolas, nipi Violante, nëna Viktorija dhe vëllai Drazhen me dhimbje njoftojnë për vdekjen e padrejtë dhe parakohshme të burrit, babait, djalit dhe vëllait shembullor, Sinis Mihajloviç”, thuhet në njoftimin e familjes.

Mihajloviç ishte diagnostikuar me leukemi në vitin 2019. Ai ishte shëruar pas një tretmani, por në mars njoftoi se sëmundja i ishte rikthyer, prandaj iu desh t’i nënshtrohej një cikli të ri të kimioterapisë.

Si lojtar, Mihajloviç i zhvilloi 315 ndeshje në Serie A, duke shënuar edhe 38 gola, pjesa e tyre më e madhe nga gjuajtjet e lira.

Ai si trajner kishte udhëhequr Kombëtaren e Serbisë, si dhe klubet e njohura italiane të, Milan, Katania, Sampdoria, Torino dhe Bolonja.

Leave a Reply