Fitore bindëse për Makedonija GJ.P dhe Sileksin, Shkëndija nga Shtipi kthehet me barazim

E diela në futbollin elitar na dhuroi 3 përballje mjaft interesante, njofton “infOSport.mk”. Shkëndija e Tetovës edhe pse shihej si favorite përballë Bregallnicës, në fund nga udhëtimi në Shtip u rikthye me vetëm një pikë, pasi barazoi pa gola. Është kjo ndeshja e dytë që “kuqezinjtë” nuk arrijnë të shënojnë në ndeshjet e stinorit pranveror, pas asaj ndeshje ndaj FC Shkupit, kur ishin mundur me shifrat 2:0.

Ndërkohë fitore me meritë për Makedonija GJ.P dhe Sileksin, që dominuan ndeshjet e tyre përballë Tikveshit, gjegjësisht Pobedës.

Makedonija Gj.P mundi Tikveshin me shifrat 3:0, ndërkohë Sileksi në Prilep demoloi Pobedën, duke e mundur me rezultatin 4:1.

Një debutim ëndërrash te Sileksi bëri sulmuesi serb Aleksandar Kataniç, i cili realizoi “hat-trik”, derisa një gol tjetër për skuadrën nga Kratova, realizoi Stefan Milosavljeviç. Golin e nderit për Pobedën në këtë ndeshje e realizoi Vasilije Delibashiç.

Fitoren e Makedonija GJ.P. përballë Tikveshit, e paralajmëroi Arbi Vosha me golin e realizuar që në minutën  e dytë. Numri 10-të i “verdhekuqve” pati edhe ndihmën e Tasev, pasi topi i devijuar nga ky i fundit përfundoi në rrjetën e Davkov.

Kapiteni Filip Mishevski në minutën e 76-të nga penaltia dyfishoi epërsinë e ekipit të Muharem Bajramit, derisa një minutë para fundit të takimit, sulmuesi shqiptarë, Emir Skenderi vendosi rezultatin përfundimtarë të këtij takimi, Makedonija GJ.P 3, Tikveshi 0.

Kujtojmë, dje FC Shkupi dhe Akademia Pandevi zhvilluan një super ndeshje, duke barazuar me shifrat 3:3, ndërkohë Rabotniçki si vendas në Veles demoloi Skopjen, duke e mundur me rezultatin 4:0.

Në kuadër të javës së 21-të, e lirë ishte skuadra e Struga Trim Lum, që vazhdon të mbajë kreun e tabelës së klasifikimit me 39 pikë, një më shumë se FC Shkupi i vendit të dytë. Pikërisht këto dy skuadra të mërkurën do të zhvillojnë derbi ndeshjen e javës së 22-të në Strugë. (infOSport.mk)

Leave a Reply