Bellasica mbetet pa trajner në prag të sezonit të ri në LPFM!

Bellasica ka mbetur pa trajner, edhe atë vetëm më pak se dy javë para startit të sezonit të ri në Ligën e Parë Futbollistike të Maqedonisë, njofton “infOSport.mk”. Ka qenë vetë Rade Cicmiloviç, ai i cili ka paralajmëruar ndarjen me skuadrën e njohur nga Strumica, ndërsa një gjë të tillë kishte bërë përmes profilit të tij zyrtarë në “facebook”.

Ai falënderoi të gjithë për dy vitet që kishte kaluar te Bellasica, e në veçanti presidentin e klubit, Savço Vaskov – Pinda, i cili ia kishte besuar postin e trajnerit, ndërsa njëkohësisht i kishte ofruar kushte të shkëlqyeshme për punë. Ai gjithashtu falënderoi edhe grupin e tifozëve “Ajduci”, stafin me të cilin kishte punuar, duke premtuar se edhe në të ardhmen do të ndjek të gjitha ndeshjet e Bellasicës, pasi siç kishte shkruar Cicmiloviç, Bellasica është pjesë e tij dhe se çdo herë këtë klub do ta ketë në zemër.

Mirëpo edhe përkundër shkrimit jo edhe aq të shkurtë, ai megjithatë nuk kishte potencuar arsyet se pse largohet nga Bellasica, skuadër kjo e cila gjatë ditës së djeshme barazoi 2:2 ndaj skuadrës së Kit Go.

Ishte kjo arsyeja, apo diçka tjetër, kjo mbetet e paqartë, ndërsa vlen të ceket se me Cicmiloviç, Bellasica pas plotë 14 viteve arriti që të rikthehet në elitën e futbollit vendor. Tashmë drejtuesit e skuadrës duhet të veprojnë shumë shpejtë për hirë të kohës dhe të emrojnë trajnerin e ri, që do ti udhëhiqte ata në LPFM.

Leave a Reply