FC Shkupi kampion, Ak.Pandev dhe Shkëndija në Ligën e Konferencës!

FC Shkupi tashmë disa javë ishte shpallur kampion, ndërsa pas zhvillimit të ndeshjeve të javës së 32-të dje, mësuam edhe dy skuadrat që do na prezantojnë në garat e Ligës së Konferencës, shkruan “infOSport.mk”.

Akademia Pandev me fitoren 2:1 ndaj Rabotniçkit, edhe zyrtarisht siguroi pozitën e dytë me 64 pikë, 9 më pak se FC Shkupi i vendit të parë, derisa Shkëndija me 60 pikë pavarësisht rezultatit në xhiron e fundit, ka siguruar tashmë pozitën e tretë.

Në pozitën e katërt do të renditet Makedonija Gj.P, që aktualisht ka 57 pikë, mirëpo për shkak rezultatit më të dobët në duelet direkte me Shkëndijën, pavarësisht fitores dhe me sa gola në duelin e fundit kundër Tikveshit në Kavadar, kjo skuadër nuk do lëviz nga kjo pozitë.

Të kujtojmë se Makedonija Gj.P do të luaj në finalen e madhe të Kupës kundër Sileksit, ashtu që me fitore eventuale, ata do të ishin skuadra e tretë që do na prezantonin në ndeshjet e Ligës së Konferencës.

Sa i përket pozitës së 5-të, ajo aktualisht mbahet nga Struga Trim Lum, që ka një pikë më shumë se dy ndjekësit më të afërt Renova dhe Bregallnica. Skuadra strugane në xhiron e fundit do të përballet me Shkëndijën në terren vendas, Renova do të luaj në Veles përballë Borecit, ndërkohë Bregallnica do të jetë mysafir i Skopjes.

Rabotniçki sezonin 2021/2022 do ta mbyll në pozitën e 8-të, pavarësisht rezultatit në ndeshjen e xhiros së fundit kundër Pelisterit, skuadër kjo që do renditet si e fundit, njëjtë sikurse edhe Boreci në pozitën e parafundit, ndërsa ndryshimi i vetëm mund të ndodh në pozitat 9 dhe 10, gjithnjë duke u bazuar në rezultatet e xhiros së fundit të Skopjes dhe Tikveshit, që aktualisht kanë 32 pikë, gjegjësisht 31. (infOSport.mk)

Leave a Reply