NBA, Golden Stejt sërish mund Klivlendin (VIDEO)

Nata që kaluam në NBA ligën profesioniste ka dhuruar super derbin midis Golden Stejt dhe Klivlend, ku sërish buzëqeshën “uarriorsat” pasi regjistruan fitoren e dytë sezonale ndaj “kavaliersave”. Golden Stejt shënoi fitore me rezultatin 118:108, duke i shkaktuar në këtë mënyrë edhe disfatën e katërt rradhazi Klivlendit.

Si zakonisht Kevin Durant dhe Stefan Keri ishin më të mirët tek “uarriorsat”, duke udhëhequr skuadrën e tyre edhe drejt një triumfi tjetër.

Durant realizoi 32 pikë, po aq sa në krahun tjetër realizoi Le Bron Xhejms, ndërsa Stefan Keri këtë ndeshje e mbylli me 23 pikë.

Një disfatë të papritur pësoi San Antonio Spërs që u mposht nga Atalanta Houks me rezultatin 102:99 për meritë edhe të gjermanit Denis Shroder që realizoi 26 pikë për miqtë. Tjetër disfatë për Hjuston Rokets që pa Xhejms Harden e ka thuajse të pamundur të bëjë rezultat.

Në “Staples Center” festa ishte e gjitha për Los Anxheles Klipers që mposhti skuadrën teksane me rezultatin 113:102. Dyshja e kalifornianëve Lu Uilliams-Blejk Grifin ishte thjeshtë fantastike pasi që të dy bashkë në total shënuan 60 pikë.

Nuk hasi vështirësi as Oklahoma Siti që në shtëpi kaloi pa probleme Sakramento Kings me rezultatin 95:88, falë edhe lojës së mirë të yllit të ekipit Rasell Uestbruk, që ndeshjen e mbylli me 19 pikë, 9 asistime dhe 16 kërcime. Ndërkohë pas 4 fitoreve radhazi Los Angjeles Lejkers u mposht në Tenessee nga vendasit e Memfis Grizlis me rezultatin 123:114.

Fitoren e tretë më rradhë ka arritur Indiana Pejsers, kësaj rradhe në transfertën ndaj Juta Xhaz, 94:109, edhe atë falë performancës së shkëlqyer të Oladipo që realizoi 28 pikë.

Leave a Reply