“Shvercerat” marrin dhuratën e shumëpritur, FC Shkupi mundi rivalin e përbetuar Vardarin! (VIDEO)

FC Shkupi mundi Vardarin me rezultatin 2:0 në ndeshjen e vlefshme të javës së 23-të në elitën e futbollit vendor, njofton “infOSport.mk”. Ishte kjo fitorja e parë për FC Shkupin pas 6 ndeshjeve pa fitore ndaj “kuqezinjëve” nga Parku i Qytetit.

FC Shkupi ishte favorit absolut në këtë ndeshje, ndërsa një gjë të tillë dëshmoi edhe në fushën e blertë. Trapanovski kishte tentativën e parë në minutën e 25-të, duke paralajmëruar golin e Rexhinaldos që erdhi 4 minuta më vonë.

Alvarez dërgoi një krosim të përsosur nga e majta në zonën e penalltisë, aty ku Rexhinaldo me kokë në manirin e golashënuesve të mëdhenj shënoi golin e parë të takimit dhe njëherit golin debutues me fanellën e FC Shkupit.

Me këtë gol u mbyll pjesa e parë, ndërsa në të dytën të besuarit e trajnerit Hasan Ozer vazhduan me lojën e tyre të hapur, duke kërkuar golin në vazhdimësi.

Në minutën e 64-të, Alvarez nga e djathta shërbeu Cvetanoskin, i cili arriti të shënojë, mirëpo i njëjti u anulua për shkak të pozitës jashtë loje.

Mirëpo nuk vonoi shumë dhe në minutën e 67-të, Filip Gligorov habiti të gjithë, kur me të majtën e tij shënoi një eurogol të vërtetë, duke ngritur epërsinë e FC Shkupit në 2:0.

Ishte ky njëherit goli i fundit i këtij takimi, në të cilin vendasit kishin mundësinë të paktën të shënojnë edhe një gol tjetër, mirëpo falë Filip Iliq, Vardari në shtëpo shkoj me vetëm dy gola të pranuar.

Për skuadrën nga Çairi ishte kjo fitorja e 12-të sezonale, duke u renditur kështu në pozitën e dytë me 43 pikë. Këtë fitore futbollistët e FC Shkupit ua dedikuan “Shvercerave”, me të cilët pas ndeshjes bënë një foto të përbashkët, që të njëjtit më pas ti mirëpresin heronjtë e tyre në stadiumin e Çairit.  (infOSport.mk)

Leave a Reply