Ministri i brendshëm, Spasovski flet për vdekjen e hendbollistit Denis Tot

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, ka hedhur poshtë pretendimet për fshehje të dëshmive në rastin e vrasjes së hendbollistit kroat të ekipit shkupjan, Butel, Denis Tot.

Spasovski thotë se rasti është zbardhur brenda 24 orëve, pas çka janë dorëzuar edhe kallëzimet penale.

“Menjëherë pasi kemi marrë informacionin, i cili nuk është marrë nga vendi i ngjarjes, për prishjen e rendit publik, për rrahje ose diçka të tillë, por është marrë nga Klinika Universitare në Shkup, ekipet tona janë drejtuar drejt Klinikës, ku edhe kanë filluar procedurat hetimore. Dua të përmend se në asnjë rast nuk jemi ndalur deri në momentin e zbardhjes së tërësishme të rastit dhe me lëshimin e padive. Dy persona e përfshirë në këtë rast janë arrestuar, ndërsa të tretin jemi duke e kërkuar dhe ndaj tij do të lëshohet edhe urdhër arrest ndërkombëtar. Me parashtresën e padive ky rast është zbardhur.”,- deklaroi ministri i MPB-së, Oliver Spasovski.

Numri një i policisë në vend po ashtu tha se ata posedojnë video, ku shihet në detaje zhvillimi i ngjarjes, ndërsa thotë se motiv për vrasjen mund të jenë mosmarrëveshjet personale mes vajzës dhe tashmë hendbollistit të ndjerë 28-vjeçar, Denis Tot, i cili në hendbollin tonë vendor kishte tre vite që luante, pasi dy vite kishte qenë edhe pjesë e KH Ohrid. (infOSport.mk)

Leave a Reply