Vaki serbe, arbitri brenda një minute ndëshkon me të kuq tre futbollistë të KF Tërnocit

Skuadra shqiptare e KF Tërnocit nga Bujanoci, që garon në zonën e Jugut në futbollin serb, ka dalë me një komunikatë lidhur me ndodhitë në ndeshjen e fundit kampionale kundër SFK Morava, njofton “infOSport.mk”.

Kjo ndeshje e zhvilluar në Vlladiçin Han i takonte javës së 19-të, ndërsa e njëjta nuk priti fundin e saj, kjo pas një referimi skandaloz të arbitrit kryesor, i cili në këtë ndeshje qëllimin e vetëm kishte dëmtimin e skuadrës shqiptare.

Ai ndëshkoi me kartonë të verdhë thuajse gjithë ekipin shqiptarë, ndërsa në minutën e 65-të, morri guximin që brenda një minuti të ndëshkoi me të kuq plotë tre futbollistë të KF Tërnocit.

Ky moment bëri që drejtuesit e KF Tërnocit të humbasin durimin, duke larguar skuadrën e tyre nga fusha. Sipas tyre kjo sjellje e turpshme e arbitrit kryesor ishte e qëllimshme, pasi i njëjti në këtë ndeshje ishte futur për të dëmtuar drejtëpërdrejtë skuadrën e KF Tërnocit, duke ju mohuar të drejtën e lojës disa prej futbollistëve më të mirë të kësaj skuadre në ndeshjen e rradhës kundër Allakincës, një ndër rivalëve kryesor në luftën për mbijetesë.

KF Tërnoci pas 19 xhirove ndodhet në pozitën e 14-të me 13 pikë, 4 më shumë se kundërshtari i rradhës, OFK Allakince, me të cilën skuadër deri në fund do të duhet të luftojë për mbijetesë, bashkë edhe me skuadrën e Gracko, pasi tashmë jashtë gare mund të thuhet se ka mbetur skuadra tjetër shqiptare e Luginës nga Presheva.

Më poshtë ju sjellim reagimin e plotë të drejtuesve të KF Tërnocit, pas skandalit që ju kishte ndodhur në ndeshjen në Vlladiçin Han kundër ekipit të Moravës, përmes të cilit njoftojnë se ditëve në vijim do të shqyrtojnë edhe braktisjen e garave.

Reagimi i drejtuesve të KF Tërnocit:

Njoftim

Pas skandalit në Vlladiçin Han po e shyrtojmë braktisjen e garave

Në ndeshjen e xhiros së 19-të, të cilën sot e filluam në Vlladiçin Han kundër ekipit vendës, Morava, për fat të keq as që e përfunduam.

Shkaktar kryesor ishte referi i kësaj ndeshje i cili me vendimet skandaloze për menjëherë (min.65) përjashtoi 3 futbollistë tanë me karton të kuq kurse gati të gjithë pjesën tjetër të ekipit e ndëshkoi me kartona të verdhë, andaj u detyruam ta ndërprejmë ndeshjen.

Këto sjellje të turpshme të referit, të papara në fushat e futbollit ishin krejtësisht të qëllimshme në mënyrë që ekipi ynë mos të ketë në dispozicion futbollistët e ekipit të parë për ndeshjet tjera.

Sidomos, synimet e referit ishin që t’ na dëmtojë në ndeshjen e radhës të cilën në fushën tonë e kemi kundër Allakincës.

Në ndeshjen e sotme është vënë kapaku në padrejtësitë të cilët po thuaj se në çdo ndeshje i kemi pasur në fushat mysafire.

Tashmë është bërë e sigurt se ekipi ynë është duke i penguar njerëzve të Federatës dhe shkaku kryesor është përkatësia etnike e futbollistëve por edhe e gjithë mekanizmave tjerë të skuadrës.

Në ambient të këtillë është e pamundur  të garohet, sidomos kur kihet parasysh se të tjerët ju shohin me sy armiqësor.

Është e pakuptimtë qe djemtë tanë të derdhin djersë dhe të rrezikojnë shëndetin e tyre në një Ligë, zyrtarët e së  cilës, në vend të kultivimit të Fer Plejit sportiv dhe ndërtimit të urave të bashkëpunimit midis popujve, po mbjellin ndasi dhe urrjetje.

Kryesia e Klubit pas konsultave që do t’i zhvillojë ditëve në vazhdim, do të paraqitet me vendim zyrtar rreth hapave të mëtutjeshme.

Tërnoc, 01.04.2023

Leave a Reply