Vazhdon forma e shkëlqyeshme e Furkan Shabanit! Juventus Serava gati për tu rikthyer në elitën e futsalit vendor

Furkan Shabani pa dyshim se është njeriu i momentit te Juventus Serava, duke ndihmuar këtë skuadër në arritjen e objektivit, rikthimin në elitën e futsalit vendor, njofton “infOSport.mk”.

Shabani po rezulton deçiziv për skuadrën shkupjane në ndeshjet vendimtare. Pasi shkëlqeu me 4 gola në ndeshjen e xhiros së kaluar kundër rivalit kryesor KMF Proekt Ciko, Shabani shkëlqeu edhe në ndeshjen e fundit të zhvilluar të premtën në palestrën “Enver Idrizi” kundër SEEU Tetova.

Edhe në këtë ndeshje, Furkan Shabani realizoi 4 gola të tjerë, duke arritur në shifrën e 24 golave, nga gjithsej 115 që ka shënuar Juventus këtë edicion në Ligën e Dytë.

Juventus Serava shënoi fitore 6:5 kundër SEEU, ndërsa përveç Shabanit, dy gola të tjerë për “bardhezinjtë” nga Serava, realizoi Abdullah Hasani.

Fitorja e sotme, ishte e 13-ta për Juventus Seravën, skuadër kjo që për momentin numron 39 pikë, po aq sa ka edhe KMF Proekt Ciko në vendin e parë. Këta të fundit kanë një ndeshje më pak, ndërsa pas tyre, në vendin e tretë ndodhet skuadra tjetër shqiptare, Korabi nga Dibra.

Pikërisht ndeshja midis Juventus Seravës dhe Korabit në Shkup, mund të vendos se cila prej këtyre dy skuadrave sezonin e ardhshëm do të luaj në Ligën e Parë. (infOSport.mk)

Leave a Reply