Futsal, Shkupi nuk di të ndalet

Edhe pas 19 xhirove në elitën e futsalit vendor, ekipi i Shkupit në futsal nuk dinë për disfatë. “Bardhekalëtrit” nga Çairi sot në palestrën “Enver Idrizi” në Shkup mundën Ilirët nga Kumanova me rezultatin 11:8, duke arritur në këtë mënyrë fitoren e tyre të 18-të, njofton “infOSport.mk”.

Shkupi që nga fillimi konfirmoi rolin e favoritit, kur edhe mbylli pjesën e parë me rezultatin 6:3, që njëherit ishte rezultati vendimtarë për fitoren e skuadrës shkupjane, pasi në pjesën e dytë të dyja skuadrat shënuan nga 5 gola.

Rexhep Sulejmani ishte figura kryesore sot ndaj Ilirëve të Kumanovës, duke realizuar plot 4 gola. Ai ishte një lider i padiskutueshëm sonte, ndërsa me lojë të mirë u dalluan edhe Orhan Ibishi dhe Berat Ramadani që shënuan nga dy gola.

Përveç kësaj treshe në listën e golashënuesve te Shkupi u regjistruan edhe Bejtulla Jakupi, kumanovari Ylber Alili dhe Erkan Seferi, i cili me përfaqësuesen e Maqedonisë ishte pjesë e turneut kualifikues për Evropianin e vitit 2018-të, shkruan “infOSport.mk”.

Falë kësaj fitore Shkupi vazhdon kryesimin në Ligën e Parë të Futsalit me 55 pikë, 3 më shumë se Velesi në pozitën e dytë që sot mundi ekipin e Sasa me rezultatin 19:0. Në dy ndeshjet e së premtes, Juventus Serava pësoi disfatë nga kampionët në fuqi të Zhelezarecit, ndërkohë Ciko me rezultatin e ngushtë 7:6 mundi Hedisin.

 

Futsal, Liga e Parë – Java XIX
13/04/2017
Ciko 7:6 Hedis
Zhelezareci 5:2 Juventus Serava

15/04/2017

Velesi 19:0 Sasa
Shkupi 11:8 Ilirët

Leave a Reply