Bottas niset i pari nesër në garën e Austrisë, lë prapa Vetel dhe Hamilton

Piloti finlandez, Valteri Bottas ka arritur kohën më të shpejtë në provat zyrtare për çmimin e madh të Austrisë. Derisa e gjithë vemendja ishte e fokusuar në duelin e tejzgjatur të titullit, mes Hamilton e Vettel, ishte Bottas ai i cili realizoi kohën më të shpejtë, duke ndalë kronometrin në kohën 1.04.251, me ç’rast arriti që të përmirësojë rekordin e një viti më parë, me pothuajse 2 sekonda.

Ky ishte “Pole Position” i dytë në karrierë për Bottas, pas atij në Bahrein.

Koha e dytë më e mirë e ditës ishte ajo e ferraristit Vettel, që regjistroi një kohë vetëm 42 të mijëtat më ngadalë se Bottas dhe siguroi vendin e dytë në vijën e parë të nisjes për garën e së dielës.

Hamilton edhe pse tregoi një agresivitet më të madh përgjatë të gjitha sesioneve, nuk arriti të vendoste një kohë më të mirë se ajo e vendit të tretë. Madje britaniku gaboi në xhiron e fundit, duke mos arritur të përmirësojë kohën e tij. Hamilton do të duhet të nisë garën të dielën 5 pozicione më poshtë për shkak të një penaliteti që mori të premten.

Përsa i përket pilotëve të tjerë, Raikkonen vendosi kohën e katërt më të mirë dhe do të niset i treti, i ndjekur nga Ricciardo dhe Verstappen.

Gara e Austrisë është ndalesa e 9-të e Botërorit të Formula 1 gjatë këtij edicioni, ndërsa emrin e fituesit do ta mësojmë vetëm pas përfundimit të garës së nesërme kryesore që starton në ora 14:00.

Leave a Reply