FC Shkupi, fitore me aromë kampioni ndaj Borecit (VIDEO)

FC Shkupi sot përballë Borecit regjistroi fitoren e 20-të në kampionat, fitore kjo që e afron edhe më shumë drejt titullit kampion. Kur kanë mbetur vetëm edhe 6 javë deri në mbyllje të sezonit 2021/2022, skuadra nga Çairi ka plotë 13 pikë më shumë se dy ndjekësit më të afërt, Shkëndija dhe Akademia Pandev, ashtu që me shumë gjasa këtë vit titulli do ju buzëqesh atyre.

Pas 90-të minutave lojë, FC Shkupi regjistroi fitore 3:1, me pjesën e parë që u mbyll me shifrat 1:1, e ku në qendër të vëmendjes doli të jetë Faustin Senghor i skuadrës vendase.

Senegalezi fillimisht në minutën e 18-të kaloi në epërsi FC Shkupin, ndërsa vetëm 3 minuta më vonë realizoi në rrjetën e gabuar, duke i mundësuar Borecit që të barazojë shifrat në 1:1.

Ishte ky rezultati i pjesës së parë, ndërsa në pjesën e dytë gjithçka foli në të mirë të skuadrës vendase që realizoi dy gola për të bërë diferencën në këtë takim.

Goleadori më i mirë i FC Shkupit dhe i kampionatit, Sandej Adentunxhi në minutën e 62-të shënoi një gol mjaft të bukur, duke përfituar nga devijimi i portierit Alçevski, ndërsa rezultatin përfundimtarë të këtij takimi, FC Shkupi 3, Boreci 1, e vendosi, Gagi Margviashvili.

Ishte ky goli i parë për mbrojtësin gjeorgjian, i cili në minutën e 82-të shënoi një super gol me roveshatë, që morri shumë duartrokitje.

FC Shkupi me këtë fitore arriti në kuotën e 65 pikëve, ndërsa Boreci me 15 pikë renditet në pozitën e parafundit. (infOSport.mk)

Leave a Reply