Shkëndija ka regjistruar fitoren e parë sezonale, duke mundur Skopjen me shifrat 2:0, ndeshje kjo e mbetur e javës së parë, kjo për shkak paraqitjeve të “kuqezinjëve” në garat europiane, njofton “infOSport.mk”.
Shkëndija nuk e diskutoi fitoren në asnjë moment sot përballë skuadrës shkupjane, për të cilën sot debutoi edhe Anid Abazi, sulmuesi i cili vetëm dy ditë më herët u transferua nga rradhët e FC Shkupit.
Ndryshe Shkëndija avansoi vetëm pas 6 minutave lojë. Braziliani Vagner Gonçalves morri përgjegjësinë për të ekzekutuar një goditje dënimi, ndërsa falë edhe ndihmëës së njërit prej mbrojtësve të Skopjes, arriti të shënojë golin debutues me fanellën “kuqezi”.
Shkëndija krijoi edhe disa raste të tjera gjatë 45 minutave të para, me anë të Gonçalves, Doriev, apo edhe Hasani, mirëpo megjithatë në rrjetën e Efremov u shënua vetëm një gol, njëjtë sikurse edhe në të dytën, kur falë një kombinimi të Hasanit dhe Doriev nga rivënia e këndit, ky i fundit harkoi brenda zonës, aty ku më së miri u gjind mesfushori Sabit Bilali dhe në minutën e 62-të dyfishoi epërsinë e Shkëndijës në 2:0.
Ky rezultat njëherit doli të jetë edhe përfundimtarë në këtë ndeshje mjaft të luftuar, ku vlen të përmendet se Skopje ndeshjen e mbylli me 9 futbollistë, pas kartonëve të kuq të Hristovskit (35’) dhe Kirovskit (37’).
Pas barazimit 1:1 ndaj Sileksit në kuadër të xhiros së dytë, për Shkëndijën ishte kjo fitorja e parë në sezonin 2022/23, me ç’rast kjo skuadër barazohet me Sileksin në vendin e dytë. Skuadra e vetme me pikë të plota në këto dy xhiro të para, është Struga Trim Lum. (infOSport.mk)