KF Shkëndija me një darkë të përbashkët mbyll stinorin vjeshtorë, ku doli si nënkampion

Pas përfundimit të ndeshjes së fundit kundër Gostivarit (0:0), Shkëndija zhvilloi darkën tradicionale të fundvitit, ku morën pjesë lojtarët, stafi teknik, kryesia, administrata, trajnerët e moshave të reja dhe anëtarët e klubit.

Mes tjerash, presidenti Zamir Dika falënderoi lojtarët dhe të gjithë të pranishmit për kontributin e dhënë dhe përkushtimin e treguar gjatë këtij sezoni, duke shprehur besimin e tij për ecurinë e klubit dhe kurrorëzimit me titullin kampion në fund të sezonit.

Gjatë kësaj mbrëmjeje festive, u bë një nderim i veçantë për kapitenin Besart Ibraimi, të cilit iu dorëzua një fanellë e futur në kornizë me numrin “200+” – një simbolikë për rekordin e tij të jashtëzakonshëm.

Në vitin 2024, Ibraimi kaloi kufirin e 200 golave në elitën e futbollit të Maqedonisë së Veriut, duke qenë golashënuesi më i mirë në historinë e kampionatit (210 gola deri tani).

Me mirënjohje u nderua gjithashtu komesari i sigurisë, Rexhep Luma, i cili ka mbi 35 vite shërbim në klub dhe është një nga figurat më jetëgjata dhe të përkushtuara të KF Shkëndijës.

Pas kësaj mbrëmjeje të veçantë, lojtarët nisën pushimin dimëror të merituar, i cili do të zgjasë deri më 2 janar, kur skuadra do të rikthehet për përgatitjet e sezonit pranveror.

Leave a Reply