Dy ndeshje, 1 pikë dhe asnjë gol! Ja çfarë thotë trajneri Osmani

Shkëndija nuk ka shkuar më shumë se një barazim pa gola në transfertën me Akademia Pandevin dhe ky rezultat ka lënë të pakënaqur të gjithë në taborin kuqezi. Ekipi nuk arrin të fitojë dy ndeshje me rradhë, e për më tepër “kuqezinjtë” nuk kanë arritur të shënojnë asnjë gol. E gjithë kjo bënë me dije se skuadra kampione e Maqedonisë për momentin ndodhet në krizë. Këtë e pohon edhe vetë trajneri Qatip Osmani, i cili potencon se ekipi ndjen edhe lodhjen nga tetë paraqitjet evropiane.

“Sigurisht se brengos fakti se ne nuk arrijmë të shënojmë gol dy ndeshje me rradhë, diçka që nuk na ka ndodhur gjatë kohë. Kemi problem me realizimin, megjithatë jam i kënaqur me angazhimin e lojtarëve. Mirëpo u përsërit ajo që ndodhi edhe me Pobedën, pasi ne nuk krijojmë raste dhe problem kryesorë mbetet realizimi”, shprehet trajneri Qatip Osmani, i cili potencon se në skuadër ndjehet krizë.

“Është evidente se Shkëndija është në një krizë dhe ajo që duhet të bëjmë është të tentojmë sa më shpejtë të dalim nga ky moment. Nuk kërkoj arsyetim dhe alibi, por konstatimi im është se ndjejmë lodhje nga ndeshjet e Evropës. Faktikisht ne zhvilluam tetë ndeshje në Evropë dhe ekipi fillon të ndjejë lodhjen tani në këtë fazë” – përfundoi Osmani.

Rikujtojmë në mesjavë Shkëndija në Tetovë kishte pësuar disfatë 0:2, ndërsa pas 8 xhirove të kaluara “kuqezinjtë” me 15 pikë të tubuara renditen në pozitën e tretë.

Leave a Reply