Moska shumë e ftohtë për Atl. Madridin, vetëm barazim përballë Lokomotivës (VIDEO)

Atletiko Madridi ka regjistruar barazimin e parë në kuadrë të grupit “A” në Ligën e Kampionëve, njofton “infOSport.mk”. Pas disfatës nga Bajerni dhe fitores ndaj Salzburgut, djemtë e Diego Simeones sonte barazuan 1:1 në transfertën e ftohtë në Rusi përballë Lokomotivës së Moskës.

Që të dy golat në këtë përballje u realizuan gjatë pjesës së parë, me miqtë nga Spanja që avansuan falë golit të Hoze Maria Himenez në minutën e 18-të.

Uruguaiani mjaft mirë shfrytëzoi harkimin e Hereras nga e majta dhe me një goditje me kokë shënoi në rrjetën e vendasve, të cilët u kundërpërgjigjën shumë shpejtë.

Lokomotiva e Moskës në minutën e 25-të përfitoi një penalti, të cilën në gol e shndërroi Anton Mirançuk.

Pjesa e dytë edhe pse ishte shumë e luftuar dhe me spanjollët që kishin një dominim të lehtë, nuk prodhoi gola, ashtu që në fund skuadrat ndanë pikët në grupin “A”, aty ku vazhdon të udhëheq renditjen skuadra kampione e Europës, Bajerni i Munihut, që pas pak do të përballet me Salzburgun në Austri.

“Bavarezët” kanë 6 pikë maksimale pas dy xhirove të para, ndërkohë pas tyre me 4 pikë ndodhet Atletiko Madridi me 3 ndeshje të zhvilluara, njëjtë sikurse edhe Lokomotiva, por me rusët që kanë 2 pikë në pozitën e tretë, teksa Salzburgu me 1 pikë mban pozitën e fundit.

Leave a Reply