FC Shkupi u mund nga Beshiktashi, shihni golat nga “Vodafone Arena” (VIDEO)

FC Shkupi,  lideri aktual në elitën e futbollit vendor, gjatë ditës së sotme në Stamboll të Turqisë zhvilloi një ndeshje luksi kundër gjigandëve të Beshiktashit, njofton “infOSport.mk”.

Të dy trajnerët, Sedlloski dhe Jallçën e shfrytëzuan pauzën në kampionatet respeketive për shkak paraqitjeve të kombëtareve në eliminatoret e Botërorit “Qatar 2022”.

Fillimi i takimit doli të jetë shumë i kobshëm për FC Shkupin, pasi Beshiktashi brenda 17 minutave realizoi dy gola, ndërsa krijoi më së paku edhe 3 raste tjera ideale për gol.

Mehemet Topal realizoi golin e parë në minutën e 12-të, kur me kokë pas një krosimi nga rivënia e këndit mposhti për herë të parë në këtë takim, portierin e FC Shkupit, Kristijan Naumovski.

Ky i fundit kapituloi edhe 5 minuta më vonë, kur një top jo mirë të kontrolluar nga vetë ai, Aleks Tesheira e vendosi pas shpinës së tij për rezultat 2:0.

Me këtë rezultat skuadrat shkuan në pushim, ndërsa në të dytën, më saktësisht në minutën e 50-të një gabim trashanik të Konstantin Çeshemxhiev në zonën e rreptësisë e shfrytëzuan në maksimum futbollistët e Beshiktashit, që përmes Gyven Jallçën shënuan edhe golin e tretë.

FC Shkupi rastin më të mirë dhe të vetmin më konkret për të shënuar golin e nderit, e pati në çastet e fundit të takimit, mirëpo Marjan Radeski nga afërsia nuk arriti të mposhtë portierin vendas, Gunok. (infOSport.mk)

Leave a Reply