Voska Sport ka bërë një super paraqitje sot në Veles, duke mundur ekipin e ligës së parë Borecin me shifrat 3:0, njofton “infOSport.mk”. Skuadra nga Ohri edhe njëherë tjetër dëshmoi se bëhet fjalë për një skuadër shumë mirë të organizuar, që në rradhët e veta posedon futbollistë mjaft cilësor, me eksperiencë të madhe edhe nga ndeshjet e Ligës së Parë, që njëherit është edhe synimi kryesor i Voska Sport.
Trajneri Rade Cicmiloviq edhe në këtë ndeshje ju dha mundësinë gjithë futbollistëve që kishte në disponim, derisa më efikas u treguan ata që luajtën në pjesën e dytë, kur edhe shënuan që të tre golat.
I zakonshmi Izair Emini shënoi një gol në këtë ndeshje, derisa dy gola realizoi përforcimi më i fundit, Riste Ilijoski, i cili vjen nga rradhët e Vardarit.
Kujtojmë Voska Sport deri në mbyllje të fazës përgatitore, do të zhvillojë edhe ndeshjen gjenerale kundër Pobedës me datë 12 shkurt në Prilep, vetëm një javë para startit të stinorit pranveror në Ligën e Dytë – Perëndim, ku skuadra shqiptare nga Ohri do ta nis me transfertën në Shkup ndaj Kadinos. (infOSport.mk)