Ja si duket renditja tabelare pas 21 xhirove në LPFMV

Me ndeshjen ndërmjet Pelisterit dhe Renovës që u zhvillua sot në Ohër, u mbyll java e 21-të në elitën e futbollit vendor, njofton “infOSport.mk”.

Renova e Qatip Osmanit dështoi të marrë pikët e plota ndaj skuadrës së fundit në tabelë, duke barazuar 1:1 në Ohër. Kështu skuadra nga Xhepçishti vazhdoi të mbajë pozitën e 5-të në tabelë në prag të derbit që e pret në fundjavë kundër liderit aktual, FC Shkupit.

Skuadra nga Çairi me 51 pikë kryeson bindshëm renditjen tabelare, duke lënë pas vetes kampionët në fuqi të Shkëndijës, që kanë 41 pikë. “Kuqezinjtë” në ndeshjen e së dielës barazuan pa gola ndaj Akademia Pandev, skuadër kjo që renditet në pozitën e tretë, ndërsa pas një serie prej 5 fitoreve të njëpasnjëshme, Makedonija GJ.P e Muharem Bajramit me 36 pikë mban pozitën e katërt.

Renova në pozitën e 5-të numëron 31 pikë, një më shumë se Bregallnica dhe Struga Trim Lum që renditen në pozitat 6 dhe 7, ndërkohë Rabotniçki me 28 pikë pozicionohet në vendin e 8-të.

4 skuadrat e fundit që rrezikojnë rënien në Ligën e Dytë, janë Skopje (21 pikë), Tikveshi (18), Boreci (13) dhe Pelilsteri (6).

Leave a Reply