Arbitër nga Strumica, kryesori i derbit Vardari-Shkupi, Jakimovski kryesori në Tetovë

Federata e Futbollit të Maqedonisë ka caktuar emrat e arbitrëve që do të drejtojnë ndeshjet e javës së 5-të në Ligën e Parë, njofton “infOSport.mk”.

Kështu derbin e përjetshëm midis skuadrave shkupjane, Vardarit dhe FC Shkupit do ta drejtojë arbitri nga Strumica, Marjan Gocevski, të cilit do ti ndihmojnë Gjorgji Karajanov nga Gjevgjelia dhe bashkëqytetari i tij, Gjorgji Stankovski.

Shkupjani Dejan Jakimovski është caktuar kryesori i takimit në Tetovë midis Shkëndijës dhe Rabotniçkit, që njëherit është edhe ndeshja më interesante e kësaj jave, ndërsa në stadiumin “Tumbe Kafe” në Manastir në ndeshjen midis Pobedës dhe Renovës drejtësinë do të ndajë një tjetër arbitër shkupjan, Igor Stojçevski.

Marjan Eckoski do të jetë bylbyli kryesor në takimin në stadiumin “Kukush” në Turnovë ku mejdanin do të ndajnë Akademia Pandevi dhe Sileksi, ndërkohë Aleksandar Stavrev do të jetë kryesori i takimit midis dy skuadrave të inkuadruara këtë vit në Ligën e Parë, Makedonija Gjorçe Petrovit dhe Bellasicës.

Të gjitha ndeshjet e javës së pestë në elitën e futbollit vendor startojnë në ora 15:30.

Leave a Reply