Struga Trim Lum dhe FC Shkupi ndahen miqësisht, Skenderi sërish në element  

Struga Trim Lum dhe FC Shkupi kanë barazuar 1:1 në miqësoren e zhvilluar sot në qytetin e bukur të Strugës, njofton “infOSport.mk”. Ekipi strugan bëri një ndeshje shumë të mirë, derisa avantazhin e arritën në minutën e 31-të me anë të Emir Skenderit. Ishte ky goli i dytë në ndeshjen e dytë me rradhë për sulmuesin e talentuar shkupjan, i cili po zhvillon edicionin e dytë me fanellën e Struga Trim Lum.

Trajneri Zaharievski në këtë ndeshje ju dha mundësinë thuajse të gjithë futbollistëve, njëjtë sikurse kolegu i tij në anën tjetër, Goce Sedlloski, futbollistët e të cilit i shpëtuan disfatës fare në fund me golin e shënuar nga Ardit Ilazi.

Ishte kjo ndeshja e tretë dhe barazimi i parë për skuadrën nga Çairi, që në dy ndeshjet e para ishet mundur nga Shkëndija (0:2), respektivisht Partizani (0:1), ndërkohë në anën tjetër Struga Trim Lum regjistroi edhe barazimin e dytë identik (1:1), pas atij ndaj Partizanit.

Ekipin e Srgjan Zaharievskit të mërkurën (30 qershor) e pret edhe kontrolluesja e tretë përballë kampionëve të Shqipërisë, Teutës, që me shumë gjasa do të jetë edhe gjeneralja para takimit historik në Europe Conference League përballë FC Liepaja nga Letonia.

Këtë ndeshje Struga Trim Lum do ta zhvillojë në transfertë me datë 8 korrik, derisa po të njëjtën ditë, me fillim në ora 20:00 në arenën “Todor Proeski”, FC Shkupi në të njëjtën garë do të luaj kundër KF Llapit nga Kosova. (infOSport.mk)

Leave a Reply