Plaku shtyn festën e Tiranës! Laçi blindon Europën!

Teuta nuk e dorëzon kurorën dhe i prish festën Tiranës pasi barazoi 1:1 në “Selman Stërmasi” në sfidën e vlefshme për javën e 32-të në Superligën shqiptare.

“Bardheblutë” e Orges Shehit ishin përgatitur për të festuar titullin e 26-të kampion në historinë e klubit, sepse një fitore përballë Teutës do të sillte matematikisht titullin.

Limaj kaloi në avantazh kryeqytetasit në pjesën e parë, por Sebino Plaku barazoi shifrat në pjesën e dytë, duke shtyrë festën e Tiranës.

Diferenca me Laçin e vendit të dytë ka shkuar në 10 pikë dhe një sukses në derbin e javës së ardhshme kundër Partizanit, mund të shpallë kampione skuadrën e Tiranës.

Laçi nuk gabon në Rrogozhinë dhe mposht 2:0 Egnatian e Zekirja Ramadanit.

Saliou Guindo doli të jetë heroi i kurbinasve pasi realizoi që të dy golat e kësaj sfide.

Djemtë e Duros blindojnë vendin e dytë në renditje, pasi diferenca me Partizanin e vendit të tretë është 8 pikë. Egnatia pëson një tjetër disfatë dhe tashmë duhet të ruhet nga skuadrat e fundit, sepse nuk e ka siguruar akoma qëndrimin në Superiore (zonën Play Out).

Pas 7 fitoreve radhazi në kampionat, Kastrioti ndalet në Korçë nga vendasit e Skënderbeut, që tregojnë edhe njëherë se nuk janë dorëzuar akoma. Mensah në pjesën e parë dhe Pusi në të dytën shënojnë golat e fitores për skuadrën korçare.

Skënderbeu zvogëlon në 10 pikë diferencën me Egnatian (zona Play Out), por kur kanë mbetur edhe 4 javë nga fundit i kampionatit, duhet të ndodhë një mrekulli që skuadra e Gegës të qëndrojë në elitën e futbollit shqiptar.

Leave a Reply