Përforcimi i parë i FC Shkupit vjen nga rradhët e Bregallnicës!

Qetësi maksimale te FC Shkupi, skuadër kjo që edicionin e kaluar e mbylli si kampion. Edhe pse kjo skuadër do të na përfaqësojë në eliminatoret e Ligës së Kampionëve, për momentin te kjo skuadër po mbizotëron një heshtje, kur janë në pyetje transferimet e reja.

Ndërkohë siç mëson “infOSport.mk”, emri i parë që mund ti bashkohet skuadrës nga Çairi, është Kristijan Ackovski,  që sezonin e fundit ishte pjesë e Bregallnicës.  Palët janë në bisedime e sipër, ndërsa një gjë të tillë për portalin tonë konfirmoi edhe vetë futbollisti 24-vjeçar.

“Po, jemi në bisedime. Gjatë këtyre ditëve saktë do të dihet nëse do arrijmë marrëveshje. Gjithsesi FC Shkupi është klubi më i mirë në Maqedoni dhe dëshira për të luajtur me këtë fanellë është e madhe, mirëpo mbetet që të precizohen edhe disa detaje rreth kushteve” – tha enkas për “infOSport.mk”, Kristijan Ackovski, i cili më herët ka qenë edhe pjesë e përfaqësueses shpresa të Maqedonisë.

24-vjeçari Ackovski, luan si mbrojtës i fundit, ndërsa me shumë gjasa do të zë vendin e Stoilov, që është shumë pranë largimit nga rradhët e FC Shkupit.

Ndryshe Ackovski ka dalë nga shkolla e Rabotniçkit, për të vijuar më pas karrierën te Boreci, ndërsa së fundmi ishte pjesë e Bregallnicës, me të cilën skuadër sezonin 2021/2022 luajti në 32 ndeshje, duke regjistruar 2 gola dhe 1 asistim. (infOSport.mk)

Leave a Reply