Vosha: Edhe përkundër ofertave tjera, zemra më tha të zgjedh FC Shkupin

Arbi Vosha sezonin e ri do të shënojë gola me fanellën e FC Shkupit. I njëjti nga lagjja e Gjorçe Petrovit, vendosi të pranojë ofertën e skuadrës nga Çairi, aty ku me siguri se do të ketë një mikëpritje të ngrohtë.

Vosha në një intervistë për portalin tonë, tha se në këtë rast kishte dëgjuar zemrën e tij dhe se beson që me FC Shkupin të luaj për disa sezone, para se të bëjë atë hapin final, për tu transferuar jashtë kufijve të shtetit tonë.

“Realisht kisha edhe oferta tjera, mirëpo dëshira ime, apo më mirë thënë, zemra më tha që të veshë fanellën e FC Shkupit. Shpresoj të luaj disa vite me këtë skuadër, për të bërë më pas hapin final, që është një transferim jashtë vendit. Gjithashtu këtu janë edhe “Shvercerat”, ndër tifozëritë më të zjarrta, që besoj se si gjithnjë do na përkrahin për të dhënë më të mirën dhe për t’iu gëzuar sukseseve bashkë” – u shpreh enkas për “infOSport.mk”, Arbi Vosha, i cili me skuadrën nga Çairi, siç njoftuam mbrëmjen e kaluar ka nënshkruar kontratë tre vjeçare.

Për 21-vjeçarin Vosha, FC Shkupi do të jetë klubi i dytë në karrierë, pasi i njëjti deri më tash kishte provuar të gjitha grupmoshat te Makedonija Gj.P, duke arritur që të luaj edhe me ekipin e parë. (infOSport.mk)

Leave a Reply