ZYRTARE, Mevlan Adili komandanti i ri në mbrojtjen e Shkëndijës

Shkëndija para pak minutash ka prezantuar shkupjanin, Mevlan Adili. Lajmin për transferimin e tij te Shkëndija, “infOSport.mk” e kishte bërë të ditur që disa ditë më parë, ndërsa sot 29 vjeçari edhe zyrtarisht firmosi kontratë dy vjeçare me “kuqezinjtë” nga Tetova.

“Jam i lumtur që kam gjetur akordin me KF Shkëndija, një ambient që e njoh mjaft mirë. Jam në dije se çka kërkon ky klub dhe shpresoj që të realizojmë objektivat. Të them të drejtën, gjithmonë e kam pas me dëshirë këtë klub. Edhe kur jam larguar nga Shkëndija më ka lënë përshtypje të mirë, sepse janë disa gjëra që janë shumë të rregulluara këtu. Unë vij te Shkëndija për të dalë kampion ndërsa shpresoj që me ndihmën e Zotit të ndodh një mrekulli dhe të futemi në grupet e garave të Evropës“, u shpreh Mevlan Adili për kanalet e klubit, menjëherë pasi zyrtarizoi marrëveshjen me Shkëndijën.

Adili sezonin e fundit luajti me Bylisin në Superligën shqiptare, pasi paraprakisht ishte në Rusi te SKA Khabarovsk. Në sezonin 2019/20 ishte ndër më të mirët në Shqipëri kur si anëtarë i Vllaznisë mes disa vlerësimeve individuale u përfshi edhe në formacionin më të mirë të vitit nga ana e Federatës shqiptare të Futbollit.

Më herët është paraqitur me Shkupin në tre periudha të ndryshme, në Lituani luajti me Zhalgiris, UTA Arad ishte eksperienca e tij në Rumani, ndërsa kjo do të jetë hera e tretë që do të vesh fanellën e Shkëndijës, për të cilën skuadër kishte luajtur edhe gjatë vitit 2015-të dhe më pas edhe në sezonin 2018/2019.

Me Shkëndijën, Adili numëron 31 ndeshje dhe 1 gol të shënuar, atë të 20 majit të vitit 2018 kundër Pelisterit në Tetovë. (infOSport.mk)

Leave a Reply