FC Shkupi dhe “Shvercerat” festojnë fitoren dhe rikthimin në Çair (VIDEO)

FC Shkupi pas plotë 350 ditëve u rikthye të luaj në Çair dhe sërish kundër Borecit, ndaj së cilës skuadër sërish shënoi fitore 3:0, njëjtë sikurse edhe me 3 tetor  të vitit 2020, kur për herë të fundit kishte luajtur një ndeshje në stadiumin e saj, njofton “infOSport.mk”.

Para fillimit të takimit u lëshua në përdorim edhe tribuna e re, me të cilën stadiumi i FC Shkupit morri një pamje shumë të bukur, edhe pse sërish fjalën kryesore, kur janë në pyetje tifozët, e pati tribuna e vjetër, aty ku ishin stacionuar tifozët “Shvercerat”.

FC Shkupi avansoi vetëm pas 5 minutave lojë, kur Matej Cvetanoski  realizoi një super gol, duke dribluar disa futbollistë kundërshtarë, që më pas me të majtën e tij të shënojë një super gol.

“Bardhekaltërit” vazhduan të dominojnë ndeshjen, duke rrezikuar në disa raste portierin Riniç, i cili mjaft mirë intervenoi në minutën e 36-të dhe 38-të, kur ndali goditjet e Adetunji dhe Alvarez, mirëpo që nuk arriti sërish të ndal sulmuesin nigerian, Sundaj Adetunji, i cili në minutën e parë shtesë të pjesës së parë shënoi edhe golin e dytë  në rrjetën e mysafirëve për rezultat 2:0.

Në pjesën e dytë sërish pamë një lojë të njëjtë, me Shkupin që diktonte tempo dhe rrezikonte portën kundërshtare. Kësisoj në minutën e 67-të, Sundaj Adetunji falë asistit të mrrekullueshëm të Cvetanoskit shënoi edhe golin e dytë personal dhe të tretin për FC Shkupin, skuadër kjo që rikthehet në krye të tabelës së klasifikimit, kjo falë edhe barazimit pa gola të Akademia Pandev në transfertën ndaj Pelisterit.

FC Shkupi pas 7 xhirove të para numëron 14 pikë, po aq sa kanë edhe Akademia Pandev, Renova dhe Rabotniçki, ndërkohë Boreci me 7 pikë renditet në pozitën e 9-të.

Leave a Reply