Landrit Rama i Struga Trim Lum flet në prag të ndeshjes së sotme me Bregallnicën

Bregallnica është kundërshtari i rradhës i Struga Trim Lum në Ligën e Parë, aty ku pas 4 xhirove të para kjo skuadër numëron 7 pikë, duke u renditur në pozitën e katërt. Ndeshja ndaj skuadrës nga Shtipi është një mundësi e mirë për tu rikthyer tek fitorja, pas disfatës xhiron e fundit ndaj Shkëndijës së Tetovës.

Në dy ndeshjet e para të këtij ediconi Struga Trim Lum ka regjistruar dy fitore pa asnjë gol të pranuar, ndërsa kjo seri nga tabori i skuadrës strugane shpresojnë të vazhdojë edhe pas takimit të sotëm.

“Është një ndeshje shumë e rëndësishme, përmes së cilës do të kërkojmë që të rikthehemi tek fitoret. Shpresojmë se me një angazhim dhe seriozitet të madh nga ana e gjithë skuadrës, në fund mund të arrijmë fitoren. Mendoj se jemi më të mirë se kundërshtari, ndërsa një gjë të tillë do të duhet ta dëshmojmë edhe në fushën e blertë” – deklaroi Landrit Rama, që sot pritet të zhvillojë ndeshjen e tij të katërt këtë edicion.

Se si i ka përjetuar këto ndeshje, Rama me përgjigje: “Orari deshi që deri më tani të jemi ndeshur me disa nga skuadrat më të mira të Ligës. Është një niveln shumë i mirë. Kemi marrë dy fitore, një barazim dhe një disfatë në ndeshjen e fundit, që mendoj se mund ta kishim shmangur po të ishim më vigjilent në ato momente të fundit. Nga ajo që kam parë deri tani, mendoj se do të jetë interesante lufta për titull.”.

Landrit Rama po zhvillon edicionin e tij të parë në futbollin e Maqedonisë. Ai skuadrës së Struga Trim Lum iu bashkua këtë verë, duke ardhur nga skuadra e KF Lllapit nga Superliga e Kosovës. Vallë sheh ndonjë dallim midis këtyre dy ligave, Rama?

“Sa i përket dallimit mes ligës këtu dhe asaj të Kosovës ku kam luajtur më gjatë kohë, nuk shoh edhe ndonjë dallim të madh. Sistemi i garave zhvillohet në të njëjtën mënyrë dhe shoh që ka rivalitet mes ekipeve edhe këtu. Besoj se kjo i jep ngjyrë kampionatit, ndërsa në mesin e skuadrave pretendente për titull e shoh edhe skuadrën time të Struga Trim Lum”.

Ndeshja ndërmjet Struga Trim Lum dhe Bregallnicës luhet sot në stadiumin e qytetit në Strugë me fillim në ora 17:00.

Leave a Reply