Infosport.mk ju informon direkt nga Ljublana
Maqedonia pëson disfatë edhe në ndeshjen e dytë në kuadër të grupit 1 në Ligën B të Kombeve, njofton “infOSport.mk”. Pas disfatës 3:0 ndaj Zvicrës, sonte në stadiumin “Stozhice” këtu në Ljublanë, të përzgjedhurit e trajnerit Goce Sedlloski u mundën me shifrat 2:0 nga Sllovenia, skuadër kjo që të dy golat i realizoi në pjesën e dytë.
Pjesa e parë thuajse ishte e barabartë, me nga dy raste në të dyja anët, me Agon Elezin, që dy herë tentoi të mposhtë portierin e Atletiko Madridit, Jan Oblak.
Në rastin e parë, goditjen e tij mbrojtja vendase e devijoi në rivënie nga këndi, ndërkohë në tentativën e dytë, goditja e tij përfundoi vetëm në rivënie fundore.
Pjesa e dytë nuk doli të jetë e mbarë për “verdhëkuqtë”, pasi vetëm pas 10 minutave të luajtura në këtë pjesë, Sllovenia arriti të shënojë me anë të Lovriç.
Pas këtij goli, Maqedonia tentoi në dy raste të shënonte, mirëpo fillimisht tentativa e Bardhit u bllokua nga Drukshiç në minutën e 75-të, që më pas në vazhdim të aksionit goditja e Stojçevskit të devijohet në rivënie nga këndi.
Pas këtij rasti të shpërdoruar dhe pa përfundim final, Sllovenia pas një aksioni të shpejtë në minutën e 80-të me anë të Matko shënoi edhe golin e dytë, që ju dha fund shpresave të futbollistëve të Maqedonisë, se mund të nxjerrin të paktën një barazim nga kjo transfertë.
Më afër golit të shënuar sonte këtu në Stozhice nga rradhët e përfaqësueses së Maqedonisë, ishte debutuesi Hristijan Maleski, goditjen e të cilit nga brendia e zonës portieri Jan Oblak e devijoi në rivënie nga këndi. Pas ekzekutimit të rivënies nga këndi, Visar Musliu tentoi me kokë, mirëpo vetëm jashtë kuadrantit.
Njëherit ishte ky edhe rasti i fundit i këtij takimi, në të cilin Maqedonia u paraqit mjaft mirë dhe me shumë vetëbesim gjatë pjesës së parë, e ku në shprehje erdhën edhe futbollistët e rinj, si Meliqi dhe Mlladenovski, që përbënin dyshen e fundit në mbrojtje.
Ndeshjen e rradhës në kuadër të grupit 1 në Ligën B të Kombeve, Maqedonia do ta zhvillojë në Shkup me datë 3 tetor kundër Skocisë, që sonte u mund në shtëpi nga Zvicra me shifrat 3:0. (infOSport.mk)
Liga e Kombeve
Liga B, Grupi 1
SLLOVENI 2:0 MAQEDONI
Autorë të golave: S. Lovriç, A.Matko;
Stadiumi: Stozhice (Ljublanë)
Shikues: 8.000
Arbitër kryesor: A. Colombo (Itali)
Kartonë të verdhë: A. Stojçevski, J.Atanasov
FORMACIONET:
Slloveni: J. Oblak, Karniçnik, Brekalo, Bijol, Drkushiç, Janzha, Begiç, Lovriç, Gnezda, Shturm, Vipotnik;
Trajner: Boshtjan Cesar;
Maqedoni: S. Dimitrievski, A. Stojçevski, M. Mlladenovski, A. Meliqi (V. Musliu 71’), S. Alomeroviq (B. Miovski 80’), M. Gashtarov, J. Atanasov (L. Stankovski 71’), D. Mitrovski (H. Maleski 61’), A. Elezi (E. Bardhi 61’), E. Elmaz, A. Omeragiç;
Trajner: Goce Sedlloski

