Agim Ibraimi: Presim pikë dhe fitore kundër Sllovenisë

infosport.mk ju informon nga Ljublana:

Përfaqësuesja e Maqedonisë në futboll, sonte këtu në Ljublanë do të zhvillojë ndeshjen e dytë në kuadër të grupit 1 në Ligën “B” të Kombeve. Pas disfatës 0:3 në Shkup ndaj Zvicrës, të përzgjedhurit e trajnerit Goce Sedlloski do të luajnë kundër Sllovenisë, aty ku një kohë të gjatë me ekipet më të njohura nga ky vend kishte luajtur edhe Agim Ibraimi, një emër i njohur në futbollin vendor, por edhe më gjërë.

Ibraimi aktualisht është pjesë e Bordit drejtues pranë FFM-së, ashtu që i njëjti sonte do të jetë prezent në shkallët e stadiumit “Stozhice”.

Në prag të këtij takimi shumë të vlefshëm për Maqedoninë, për të ndërprerë serinë e ndeshjeve pa fitore, Ibraimi, është optimist se ekipi përfaqësues i vendit tonë mund të marrë pikë sonte kundër Sllovenisë.

“Duhet të jemi realistë. Në grup kemi ekipe kombëtare si Zvicra, Skocia dhe Sllovenia. Qëllimi i parë, është që duhet të mbijetojmë. Çdo gjë më shumë se kaq është një plus për ne. Presim pikë dhe fitore kundër Sllovenisë. Lojtarët janë shumë të motivuar, së fundmi mund të them se luajtëm mirë edhe në Slloveni. Ndeshja kundër Zvicrës ishte shumë e keqe. Zvicra luajti në mënyrë rutinore, ndërsa neve bëmë gabime individuale, dhe ishte e vështirë të rikthehesh në një ndeshje kundër një ekipi aq të fortë. Por kemi shumë lojtarë të rinj në skuadër, që pritet të jenë boshti i skuadrës për dhjetë vitet e ardhshme. Mendoj se trajneri ynë do të ndryshojë disa gjëra për ndeshjen kundër Sllovenisë. Për fat të keq, lojtarët tanë nuk janë standard në klubet e tyre dhe kjo është shumë gjë e keqe. Andaj edhe nuk ka automatizim në ekipin kombëtar, sistemi po ndryshon dhe lojtarët nuk janë adaptuar ende në këtë sistem. Nuk më pëlqen që në futbollin modern mbështetemi vetëm në analiza dhe numra. Çfarë vlere kanë të dhënat e vrapimit nëse lojtarët bëjnë gabime? Futbolli është pasion, futbolli është rruga, ky element duhet të kthehet që gjithçka të jetë më interesante”, – u shpreh Agim Ibraimi, një emër shumë i respektuar edhe këtu në Slloveni, aty ku njëherit kishte kalluar edhe pjesën më të madhe të karrierës së tij.

Ai kishte luajtur me skuadrat si NK Olimpija, NK Nafta, Domzhale dhe Maribor, për të cilën skuadër kishte zhvilluar plotë 164 ndeshje, madje duke u shpallur 4 herë kampion, dy herë fitues i Kupës sllovene, derisa në vitin 2012 ishte shpallur edhe futbollisti më i mirë i ligës.

Leave a Reply