Omeragiç: Cikël i ri, energji e re, të tregojmë vlerat tona të vërteta

Përfaqësuesja futbollistike e Maqedonisë sonte në Shkup do të mirëpret Zvicrën në ndeshjen e parë në kuadër të ciklit të ri të Ligës së Kombeve. Për herë të parë Maqedonia do të luaj në Ligën “B”, aty ku për kundërshtarë në kuadër të grupit 1, përveç Zvicrës do të ketë edhe Slloveninë dhe Skocinë.

Para ndeshjes, presidenti i FFM-së, Masar Omeragiç, erdhi me një mesazh inkurajues. Ai theksoi se këto ndeshje shërbejnë për ndërtimin e ekipit kombëtar dhe shprehu besimin e tij te lojtarët.

“Çdo cikël i ri i kombëtares sjell një energji të re, pritshmëri dhe një mundësi të re për të dëshmuar veten. Sot, jemi sërish të bashkuar pas fanellës kombëtare dhe dëshirës që Maqedonia të tregojë vlerat e saj të vërteta. Përballemi me një kundërshtar të fortë, në një ndeshje që kërkon angazhim maksimal, frymë luftarake dhe punë ekipore. Megjithatë, pikërisht në ndeshje të tilla shfaqet karakteri i një kombëtareje. Besoj se lojtarët tanë do të zbresin në fushë me guxim dhe besim te aftësitë e tyre. Mbështetja juaj është burim force dhe motivimi. Le të jetë ndeshja kundër Zvicrës një tjetër histori e përbashkët futbollistike dhe një nisje e mrekullueshme për Ligën e Kombeve,” shkroi presidenti i FFM-së, Masar Omeragiç.

Ndeshja Zvicër-Maqedoni, e para në histori mes këtyre dy kombëtareve do të luhet në Arenën “Todor Proeski” me fillim në ora 20:45.

Leave a Reply