Rinia  mundi Kumanovën në transfertë

Klubi i hendbollit shqiptar Rinia që garon në Ligën e Parë, stinorin pranveror e ka nisur me fitore, duke mundur në transfertë skuadrën e Kumanovës me rezultatin 37:31. Të përzgjedhurit e trajnerit Muhamed Ismaili që nga fillimi i këtij takimi ju bënë me dije vendasve se në këtë ndeshje mendojnë vetëm tek fitorja, e cila u paralajmërua pas 30 minutëshit të parë, kur rezultati në semafor tregonte 20:12 në të mirë të skuadrës nga Çairi.

Thuajse me të njëjtin ritëm dhe forcë, Rinia vazhdoi edhe në pjesën e dytë, ku shënoi plotë 17 gola, derisa vendasit arritën të realizojnë 19-të, mirëpo duke mos arritur që të bëjnë diç më tepër vetëm se të pajtohen me disfatën e tyre të tretë këtë edicion. Përforcimi më i ri te Rinia, Filip Angjelkoviç ishte golashënuesi më i mirë i këtij takimi me 18 gola të shënuar, ndërsa me lojë të mirë u dallua edhe kapiteni, Basri Latifi që realizoi 7 gola.

Për Rininë ishte kjo fitorja e  8-të këtë edicion, që e përforcon këtë skuadër në pozitën e tretë me 25 pikë, vetëm 3 pikë më pak se lideri aktual, Vardar 2.

Leave a Reply