Bledi Shkëmbi komenton fitoren ndaj Arsimit si dhe 8 xhirot e kaluara

Trajneri i Struga Trim Lum, Bledi Shkëmbi, ka komentuar ndeshjen e fundit kundër KF Arsimit, në të cilën ndeshje skuadra strugane regjistroi fitoren më të thellë në ndeshjet e këtij sezoni.

Fitorja 6:0 ndaj skuadrës nga Çegrani, ishte e 5-ta nga po aq ndeshje të zhvilluara në terren vendas për Struga Trim Lum, aty ku kjo skuadër nuk ka lejuar të pranoj gol në asnjë ndeshje.

“Një fitore me 6 gola, besoj e merituar. Që pjesën e parë duhej të shënonim, por nuk arritëm të shfrytëzojme momentet ashtu siç duhet. Patëm pak fat pjesën e dytë me gabimin e portierit kundërshtarë, por mendoj se e merituam plotësisht fitoren.” – u shpreh trajneri Bledi Shkëmbi, që pavarësisht se skuadra e tij nuk shënoi gjatë pjesës së parë, thotë se i pëlqeu mënyra e lojës, pasi lojtarët me përpikmëri kryenin të gjitha detyrat e dhëna para fillimit të ndeshjes.

“Për mënyrën se si u luajt ndeshja, personalisht më pëlqeu më shumë pjesa e parë, sepse ishim shumë dominantë në fushë dhe luajtëm në mënyrën ashtu siç ishim përgatitur.” – deklaroi Shkëmbi, që në përgjithësi thotë se është i kënaqur me pikët e fituara në këto 8 javë të para, edhe pse realisht skuadra mund të kishte edhe ndonjë pikë shtesë, në rast se do dilnim më mirë në ndeshjet si mysafir.

Kemi një disfatë…!! Megithatë mund të them se jam i kënaqur me skuadrën në këto 8 javë kampionat. Do dëshironim të kishim ndonjë pikë më shumë, por nuk e kemi arritur. Nga mënyra e lojës mendoj që kemi dominuar me kundërshtarët. Pozita e dytë është pozitive, por kampionati është i gjatë dhe neve duam që në fund të kampionatit të kemi bërë maksimumin.” – vijoi me deklaratën e tij trajneri Shkëmbi, që e mirëpret pauzën ndërkombëtare për ta pushuar stafin, por gjithsesi edhe lojtarët që kanë nevojë për një mini pushim: “Patjetër që të gjithë e kemi të nevojshëm një pushim pak më të gjatë, ashtu që edhe lojtarët e meritojnë.”

Bledi Shkëmbi në garë për titullin e kampionit këtë edicion sheh 3-4 skuadra, përfshirë këtu edhe Struga Trim Lum. Mirëpo për t’ia arritur qëllimit final deri në fund, strategu i struganëve kërkon që mos të përsërisin gabimet e edicionit të kaluar, që ishin shfaqur në fund të kampionatit.

“Jemi të vetëdijshëm që nuk duhet të bëjmë gabimin e vitit të kaluar, ku për shumë kohë ishim në luftë për titull dhe në fund gabuam më shumë se sa duhet. Këtë vit mendoj që janë 3-4 skuadra në gatë për titullin.” – përfundoi intervistën Shkëmbi, që dje regjistroi fitoren numër 25 në krye të Struga Trim Lum.

Leave a Reply